Mund ta mirëkuptojmë nevojën e shtetit të Izraelit që përmes Kosovës ta kthej në favor të tij klimën mirëbesimit të disa vendeve myslimane të Lindjes së Mesme, por në anën tjetër ekziston rreziku i hapur që këtë gjest diplomatik ta keqpërdorë Serbia, e cila atributin fetar të përkatësisë myslimane të Kosovës dhe shqiptarëve mund ta kthej në kalë beteje në fushatat e saja denigruese, ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën
Nga Emin AZEMI
Propaganda serbe ka qenë shumë e angazhuar në shtrembërimin e identitetit kulturor të shqiptarëve në sytë e opinionit ndërkombëtar. Për Beogradin zyrtar ka qenë me rëndësi jetike paraqitja e shqiptarëve si “popullsi myslimane”, duke dashur me këtë të arrij dy efekte: që të shtrembërojë imazhin e shqiptarëve, duke i paraqitur ata në një frymë satanizuese para botës Perendimore dhe të zhvendos komplet fokusimin nga temat etnike në ato fetare, ku shqiptarët pastaj (sipas Serbisë) do të ngatërroheshin duke u sqaruar kush janë e çka janë.
Në fakt, shqiptarët nuk kanë nevojë aspak të sqarohen, sepse ata janë, mbase, etnia më unikate në botë që e kanë jashtëzakonisht të zhvilluar sensin e koegzistencës së brendshme shumëfetare.
Pse paskan nevojë të paraqiten shqiptarët pjesëtarë të një përkatësie dominuese fetare, kur vet shqiptarët nuk funksionojnë sipas këtij parimi?
Apo ndoshta ithtarëve serbë të kësaj teze iu ka mbetur ëmbël koha e shpërnguljeve të mëdha, kur shqiptarët para se të dëboheshin nga vatrat e tyre shekullore, brenda natës bëheshin “turq” dhe si të tillë me “visikat” dhe me biletat njëdrejtimshe që i merrnin pa problem në Konsullatën turke në Shkup, mbushnin trenat e moskthimin dhe degdiseshin shkretëtirave të Anadollit.
Shqiptarët nuk kanë nevojë aspak të sqarohen kush janë e si janë, ashtu siç vepruan edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shpëtuan qindra hebrenj nga kthetrat vrastare të nazistëve. Këtë humanizëm, me kosto të lartë për jetën e tyre, shqiptarët nuk e demonstruan pse ishin pjesëtarë të ndonjë religjioni të caktuar, për arsye se për shqiptarët religjioni asnjëherë nuk ka paraqitur ndonjë pengesë për të bërë punë të dobishme e fisnike.
Identiteti fetar i shqiptarëve nuk ka qenë dashur të përfshihet në Marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington. Delegacioni i Kosovës nuk ka guxuar të pranojë formulime me atribute fetare në identitetin e shqiptarëve, qoftë edhe në relacion me njohjen reciproke me Izraelin. Nëse ka ekzistuar një vullnet politik që Kosova e Izraeli të njihen reciprokisht, ka mjaftuar fakti që këta dy popuj kanë njohje dhe respekt reciprok shumë më herët dhe kjo ka mundur t’i shërbejë delegacionit të Kosovës që të këmbëngul në formulimin e drejt të raporteve miqësore me Izraelin, pa e ngatërruar fare identitetin fetar të shqiptarëve.
Mund ta mirëkuptojmë nevojën e shtetit të Izraelit që përmes Kosovës ta kthejë në favor të tij klimën mirëbesimit të disa vendeve myslimane të Lindjes së Mesme, por në anën tjetër ekziston rreziku i hapur që këtë gjest diplomatik ta keqpërdorë Serbia, e cila atributin fetar të përkatësisë myslimane të Kosovës dhe shqiptarëve mund ta kthej në kalë beteje në fushatat e saja denigruese kundër “Kosovës myslimane”, ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën.
Tre ditë para se të nënshkruhet marrëveshje 4 shtatorit në Washington, paraqita disa arsye pse diplomacia shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) duhet të tregohet më aktive në hedhjen e disa hapave para Serbisë, sepse kjo e fundit përmes Presidentit Vuçiq po bëhej gati që të dilte me një deklaratë përmes së cilës do ta dënonte Hozballahun si organizatë terroriste, duke dashur në këtë mënyrë të prezantojë para botës, mu në prag të takimit në Washington, gjoja disa përparësi ndaj shqiptarëve si “popullsi me shumicë myslimane”.
Atë që e bëri Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi para një viti përmes një dekreti që detyronte institucionet shtetërore të krijojnë një listë të njerëzve, grupeve dhe organizatave terroriste të përfshira në akte terroriste, që do të ishte subjekt i masave kufizuese në territorin e Kosovës, duhej të bënte edhe diplomacia shqiptare para nënshkrimit të Marrëveshjes së 4 shtatorit. Sikundër dihet, Presidenti Thaçi propozoi që deri në krijimin e një liste të tillë, institucionet e Kosovës duhet të zbatojnë listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, azhurnuar 8 janarin e vitit 2018. Në këtë listë të BE-së është i përfshirë edhe Hezbollahu, si organizatë terroriste e cila është e vendosur në Liban dhe mbështetet nga Irani.
Edhe në Marrëveshjen e 4 shtatorit përfshihet një pikë “ku palët (Kosova dhe Serbia) zotohen të përcaktojnë Hezbollahun në tërësinë e saj si një organizatë terroriste dhe të zbatojnë përfundimisht masat për të kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të Hezbollahut në juridiksionet e tyre”.
Duke u rreshtuar në anën e botës së qytetëruar në luftimin e terrorit që bëhet në emër të Islamit, është e tepërt t’u kërkohet shqiptarëve të betonohen brenda një identiteti fetar, i cili sa është kontrovers në pikëpamje të semantikës kulturologjike, po aq është edhe paragjykues e keqpërdorues për nevoja të politikës së ditës nga ana e Serbisë dhe gjithë atyre që shqiptarët parasëgjithash duan t’i shohin si një turmë amorfe pa identitet etnik, por me prirje gjoja të theksuara fetare-myslimane. (koha.mk)