Ato që ndoshta nuk i dinit për Alfred Nobelin

Ju mund të dini se pas një jete me prodhimin e eksplozivëve, Alfred Nobel, donte që pasuria e tij të përdoret për të krijuar Çmimet Nobel në fushën e kimisë, mjekësisë, fizikës, letërsisë dhe paqes. Megjithatë, ka shumë më tepër mbi historinë e këtij shkencëtari të shekullit të XIX-të. Këtu janë disa fakte të habitshme mbi jetën e Nobelit

11

NJË MIZANTROP DASHAMIRËS. Edhe pse një njeri që do të vendoste çmime, të cilat nderonin arritjet më të mira të njerëzimit, Alfred Nobel kishte patur shumë pak entuziazëm për njerëzit. Ai vuante nga një sëmundje kronike, duke bërë një jetë të vetmuar dhe preferuar të mos argëtohet. Madje një here, ai shkroi se “disa miq mund të gjendet vetëm në mesin e qenve”. Përveç kësaj, njerëzit që takoi gjatë karrierës së tij shpesh e irritonin, teksa konkurrentët u përpoqën në shumë raste t’ia vidhnin projektet. Megjithatë Nobeli, nuk hoqi plotësisht dorë nga njerëzimi, sikurse e tregojnë edhe çmimet e tij. Njëherë ai shkroi: “Unë jam një mizantrop, por jashtëzakonisht dashamirës”.

NJERIU I NITROGLICERINËS. Reputacioni dhe pasuria e Nobelit, janë ndërtuar mbi punën e tij me nitroglicerinën. Ai shpiku një ndezës që mundësoi kontrollin e përbërjes së paqëndrueshme të eksplozivit, duke zbuluar se si të kombinojë nitroglicerinën me dheun që përmbante silikon, për të krijuar dinamitin më të qëndrueshëm. Më vonë në karrierën e tij, Nobeli e përdori nitroglicerinën për të prodhuar xhelatinën dhe pluhurin shpërthyes. Në jetën e Nobelit, nitroglicerina u përdor edhe në prodhimin e barnave. Kur Nobeli pati probleme me zemrën, mjekët i rekomanduan përdorimin e saj. I vetëdijshëm për absurditetin e situatës, ai vuri në dukje:”Duket si një ironi e fatit, që mjekët të më rekomandojnë mua nitroglicerinën!”.

DRAMATURGU NOBEL. Nobeli kishte një vlerësim të madh për letërsinë. Ai shpesh shkruante poezi, ndërsa la pas disa skica romanesh. Dhe pak para vdekjes së tij, ai përfundoi dramën “Nemesis”, që ishte bazuar në historinë e një gruaje fisnike të shekullit të XVI-të, e cila kishte vrarë babanë e saj abuziv. Nobel shkroi se mendonte që puna e tij ishte “mjaft e mirë”, dhe 100 kopje të dramës u bënë gati për t’u shpërndarë. Por pasi Nobeli vdiq në vitin 1896, anëtarët e familjes u përpoqën t’i zhdukin ato kopje, pasi mendonin se ajo pjesë letrare mund ta dëmtonte reputacionin e tij. Përkundër këtyre përpjekjeve, 3 kopje arritën të mbijetojnë, dhe në vitin 2005 premiera e “Nemesis” u shfaq në një teatër në Stokholm. Megjithatë, edhe pse Nobel ishte një njeri me shumë talente, me sa duket aftësitë e tij nuk përfshinin shkrimin e dramave – kështu që mos u ndjeni keq nëse nuk e keni parë. Në një artikull të gazetës britanike “The Guardian” mbi premierën ndër të tjera shkruhej:”Sipas drejtorit të shfaqjes, Rikard Turpin, “Nemesis” është një paradë e zbehtë e torturës, përdhunimit dhe incestit që bart vizionin e një Virgjëreshe Mari të droguar, e cila pas një bisedë me Satanin përfundon në një skenë me 40 minuta tortura”.

NOBELI DHE PAQJA. Gjatë gjithë jetës së tij, Nobeli nuk e pa prodhimin e eksplozivëve si diçka që duhej përdorur domosdoshmërisht për  luftë. Shumica e produkteve të nitroglicerinës së tij, ishin vënë në përdorim në sektorë si minierat dhe telekomunikacioni (edhe pse pluhuri ishte përdorur tek armët e zjarrit). Sigurisht ka pasur përdorim ushtarak të të gjithë eksplozivëve të tij, por Nobeli mendonte se “nuk ka asgjë në botën tonë që nuk mund të keqpërdoret”.

Përveç kësaj, Nobeli besonte se rritja e fuqisë shkatërruese të shteteve, mund të çojë drejt paqes. Në vitin 1890, ai shkroi:”Ditën kur dy ushtri do të mund të asgjësojnë njëra-tjetrën brenda një sekonde, të gjitha kombet e qytetëruara do të tërhiqen me tmerr nga lufta dhe shpërbëjnë forcat e tyre ushtarake”.  Dhe Nobeli, që ishte mik i aktivistes së paqes Berta von Satner i tha kësaj të fundit: “Ndoshta fabrikat e mia do t’i japin fund luftës, më shpejt se sa kongreset tuaja të paqes”. Sidoqoftë, pikëpamjet e Nobel evoluan deri në pikën që ai zgjodhi të vendosë çmimin Nobel për Paqe, për të nderuar ata që “kanë bërë më shumë ose punën më të mirë për vëllazërimin midis popujve, për heqjen apo reduktimin e ushtrive, si dhe për mbajtjen dhe promovimin e konferencave të paqes”- një vendim që shumë vetë ia atribuojnë, të paktën pjesërisht, bisedave të tij të vazhdueshme me Von Satner. Në vitin 1905, vetë kjo e fundit fitoi Çmimin Nobel për Paqe.

FRIKË NGA TË VARROSURIT I GJALLË. Në shekullin e XIX-të, nuk ishte e pazakontë që njerëzit të shqetësoheshin se mos varroseshin të gjallë (poema e Edgar Alan Po “Varrimi i parakohshëm” u botua në vitin 1844). Në fakt, babai i Nobelit kishte frikë nga një fat të tillë – në një moment, ai donte të ndërtonte një arkivol që e lejonte banorin e vet të thërriste për ndihmë, nëse ndodhte që ai të mos kishte vdekur ende. Edhe Nobeli trashëgoi fobinë e babait të tij, ndaj dhe vendosi që ta parandalonte këtë:”Sipas vullnetit tim të shprehur, jap urdhër që venat e mia të hapen pas vdekjes”. Vetëm pasi “mjekët kompetente të vërejnë shenjat e caktuara të vdekjes”, Nobeli kërkonte që trupi i tij të digjej.

NJË VULLNET KONFUZ. Duke pasur parasysh rëndësinë e Çmimeve Nobel sot, është e vështirë të imagjinohet një botë pa to. Megjithatë, çështjet që trajtohen në testamentin e fundit të Nobel, nënkuptojnë se një rrezik i tillë ka ekzistuar. Nobeli nuk i pëlqente avokatët – ai ndjente se ata bënin një jetë “duke nxitur njerëzit të besonin se vija e drejtë është e shtrembër”, dhe për këtë arsye ai shprehu vullnetin e tij pa ndonjë këshilltar ligjor. Kjo ndihmon në shpjegimin, se pse Nobel nuk kontrolloi asnjëherë për t’u siguruar nëse grupet që ai krijoi për të zgjedhur fituesit e Çmimit Nobel, do ta kryenin si duhet misionin. Përveç kësaj, ai rekomandoi që pjesa më e madhe e pasurisë së tij, të shkonte për krijimin e një fondi për këto shpërblime, por ai nuk dha hollësi se si do të administrohej ai fond. Megjithatë, shumë probleme u ngritën për shkak se disa anëtarë të familjes nuk qenë të lumtur për atë çka kishin humbur. Natyrisht problemet në fund u zgjidhën. Megjithatë, u desh kohë, dhe kjo është arsyeja pse çmimet e para nuk u dhanë vetëm në vitin 1901, pra pesë vjet pas vdekjes së Nobelit. (bota.al)

Comments are closed.