Shkup, 18 janar – Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit për mbikëqyrje civile e cila do të mbikëqyrë punën e ATO-së, ngec në komisionin Parlamentar për zgjedhje dhe emërime. Në konkurs janë paraqitur vetëm kandidat me përkatësi etnike maqedonas, duke mos u respektuar përfaqësimi adekuat i shqiptarëve gjë që ka nxitur reagimin e deputetit të lëvizjes Besës të Afrim Gashit, i cili kërkoi konkursi të ri, që të mund të konkurronin përfaqësues të të gjitha etnive në Maqedoni, transmeton Alsat-M.
“I lexuat kandidatët, qartazi shihet që një nga kushtet më të rëndësishme që kjo agjenci e rëndësishme, ATO-ja të ketë besueshmëri nga të gjithë qytetarët është e rëndësishme që të ketë kujdes edhe në kriterin e përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike. Nëse shkojmë me një përmbajte të tillë, pa asnjë përfaqësues të asnjë bashkësie tjetër etnike, me të vërtetë do shkelnim të drejtën kushtetuese për përfaqësim të drejtë”, tha Afrim Gashi, Deputet i Besës.
Këshilli është paraparë të ketë 7 anëtar ndërsa në konkurs janë paraqitur tetë persona, duke e pamundësuar kështu opsionin e zgjedhjes pasi vetëm një prej tyre nuk i plotëson kushtet. Më i zëshëm për mungesën e konkurrencës ishte kryesuesi i Komisionit amë Ilia Dimovski, i cili kërkoi gjithashtu konkurs të ri ku do të paraqiteshin një numër më i madh i të interesuarve që të ketë mundësi zgjedhje.
“Duhet të zgjedhim 7 persona prej 7 të paraqiturve që i plotësojnë kriteret, që për mua është problematike, në aspekt të pamundësisë për të bërë zgjedhje kualitative”, theksoi Ilia Dimovski, Kryetar i Komisionit për zgjedhje dhe emërime (VMRO).
Kundër kërkesës për përsëritjen konkursit ishte deputetja e LSDM-së Ivana Tufekgjiq e cila tha se personat që kanë konkurruar janë të denjë për të ndjekur punën e ATO-së. Ky këshill pritet të përbëhet nga tre ekspertë, tre përfaqësues të OJQ-ve dhe një ndërmjetësues mes qeverisë dhe sektorit civil. Kushtet për kryetar apo anëtarë, janë që kandidati të jetë qytetar i MK-së, të mos jetë i ndjekur penalisht apo të ketë ndalesë, të ketë 240 kredi, të ketë përvojë pune më shumë se shtatë vite në fushë të drejtësisë, telekomunikimit ose informatikës, ose pesë vite përvojë pune në OJQ-të në fushën për të drejtat e njeriut, sigurisë apo mbrojtjes. Vendimi nëse do të ketë ose jo konkurs të ri do të mësohet ditën e hënë, kur edhe është e paraparë që të mbahet seanca e radhës e Komisionit për zgjedhje dhe emërime.