Shkup,11 nëntor – Ashtu siç paralajmëruam, përfaqësuesja e Maqedonisë dje me fluturim çarter, udhëtoi për në Granda, ku nga sot do të vazhdojë përgatitjet për ndeshjen eliminatore për Rusi 2018, kundër Spanjës, e cila do të zhvillohet të shtunën në ora 20.45. Të përzgjedhuri e seleksionuesit Igor Angellovski, në mesin e të cilëve janë edhe pesë shqiptar, Ferhan Hasani, Besart Ibraimi, Leonard Zhuta, Enis Bardhi dhe Ezgjan Alijoski, janë optimist para kësaj sfide mjaftë të madhe, por njëkohësisht janë të vetëdijshëm se kundër kujt do të luajnë, pasi “furia e kuqe” siç e thërrasin Spanjën, është njëra nga përfaqësueset më të forta në Evropë dhe Botë.
Por, Spanja ndaj Maqedonisë nuk do të jetë e kompletuar, pasi seleksionuesi Hulen Llopetegi, ka shumë lojtar të lënduar. Ai nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e tre futbollistëve të Barcelonës, Pike, Alba e Iniesta, si dhe kapitenit të Realit të Madridit, Serhio Ramos. Megjithatë, spanjollët kanë shumë lojtar kualitativ për ti plotësuar këto zbrazëtira, edhe pse ato nuk do të jenë të të njëjtit nivel. Derisa, për dallim prej Spanjës, Maqedonia nuk do të ketë probleme më serioze. Siç e dimë aty nuk janë përfshi Trajkovski e Agim Ibraimi, të cilët munguan edhe në ndeshjet e deritanishme. Të frymëzuar nga paraqitja e fundit ndaj Italisë, verdhekuqtë janë të vetëdijshëm se duhet të luajnë në një nivel më të lartë, në rast se shpresojnë në sensacion.
Seleksionuesi Angellovski, ashtu siç pritej freskoi ekipin me lojtar të rinj nga U 21, dhe pikërisht këta duhet të jenë bartësit e lojës kundër Spanjës të shtunën. Ndryshe, dje verdhekuqtë me të arritur në Granad në orët e pasdites realizuan një stërvitje, ndërsa sot do të kenë stërvitjen zyrtare në stadiumin ku edhe do të zhvillohet ndeshja. (B.K)