Atletiko Madridi vuan mungesën e Zhoao Feliksit për supersfiën e nesërme kundër Liverpulit në kuadër të fazës 1/16-ave të Ligës së Kampionëve. 20-vjeçari portugez është infektuar me virusin “faringitis”, i cili shkakton ethe, skuqje të fytit, etj.
Futbollisti pritej të luante pas 3 javësh mungesë pasi rikuperoi dëmtimin në muskujt e këmbës, por ditën e sotme Feliks u diagnostikua me “faringitis”. “Los Colchoneros” nuk do të kenë në dispozicion as mbrojtësin e djathtë Kieran Tripier. Nga ana tjetër, Liverpuli vjen thuajse i plotë në Madrid duke mos patur në gadishmëri vetëm Xherdan Shaqirin.
Kampionët e Europës nisen si favoritë për këtë takim, ndërsa trajneri i Atletiko Madridit Diego Simeone duhet të gjejë formacionin e përshtatshëm për të përballuar me sukses “të kuqtë”.