Atletico Madridi ka shënuar fitore prej 4-2 kundër Bayer Leverkusenit në ndeshjen e zhvilluar në BayArena, e vlefshme për 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Skuadra mysafire e nisi më mirë sfidën duke kaluar në epërsi në minutën e 17-të me anë të Saul Niguez, i cili realizoi një gol shumë të bukur. Golin e dytë të mysafirëve e realizoi Antoine Griezmann (25’) dhe me epërsi të dyfishtë, shkuan në pushim. Në fillim të gjysmës së dytë, vendasit e ngushtuan rezultatin me golin e Karim Bellarabi (48’). Mirëpo, Los Rojiblancos e ngritën sërish avantazhin me anë të Kevin Gameiros, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë pas një penaltie të akorduar në favor të vizitorëve (59’). Sidoqoftë, reagimi i vendasve nuk vonoi dhe ata e ngushtuan rezultatin me autogolin e Stefan Savic (68’). Të zgjedhurit e Diego Simeones e shënuan edhe një gol me anë të veteranit Fernando Torres (86’) për ta vulosur këtë fitore. Kjo fitore e vë Atletico Madridin në pozitë shumë të mirë të vazhduar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kur kihet parasysh se ndeshjen e kthimit e zhvillon në shtëpi.