Atletico reziston për Correan, Milani do sulmuesit e Realit

Transferimi i Correas duket një mision i vështirë për Milanin, pasi Atletico vazhdon të kërkojë 55 milionë euro për sulmuesin, por, gjithsesi, kuqezinjtë nuk largohen Madridi. Këtë herë drejtuesit kuqezi po mendojnë të trokasin në dyert e Realit. Javën e ardhshme, krerët e “Djallit” do të zhvillojnë një takim me homologët e tyre spanjollë.

Mariano Diaz, i cili sezonin e fundit gjeti pak hapësira në radhët e Los Blancos, është një dëshirë e Milanit, ndërsa emri tjetër është ai i Luka Jovicit. Mund të duket e çuditshme, sepse madrilenët shpenzuan 60 milionë euro për 21-vjeçarin serb, por performanca e tij nuk e ka bindur trajnerin Zidane. Nisur nga kjo, po shqyrtohet mundësia për ta transferuar në formën e huazimit. E njëjta formulë mund të ndiqet edhe për Mariano Diaz.

Një tjetër emër në listën e kuqezinjve është edhe ai i Mario Mandzukicit. Për sulmuesin kroat duket i pashmangshëm largimi nga bardhezinjtë. Mandzukic përfiton 5 milionë euro në sezon, ndërsa Boban, i cili e njeh menaxherin e sulmuesit, mund të gjejë një zgidhje për ta reduktuar këtë shumë.