E ardhmja e sulmuesit spanjoll Alvaro Morata tashmë është vulosur. 27-vjeçari do të qëndrojë në La Liga, ku do të vazhdojë të veshë fanellën e skuadrës së Atletico Madrid. Ekip ku u transferua në merkaton e janarit nga Chelsea (15 ndeshja e 6 gola me Atletico nga janari).
Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, skuadra e Atletico i ka komunikuar vendimin drejtuesve të Chelsea se do të mbajnë Alvaro Morata. Çka do të thotë se skuadra “colchoneros” do të paguajë shumën prej 55 milionë eurosh që rrjedh nga marrëveshja e bërë në janar.
Gjithsesi, skuadra spanjolle ka një kërkesë te “blues”, që pagesa e mësipërme të kryhet verën e vitit 2020. Kjo kërkesë vjen për faktin se lojtari do të qëndrojë edhe një vit në Madrid në formë huazimi para se transferimi tek Atletico të kryhet zyrtarisht verën e vitit tjetër, duke blerë 100% të kartonit.