Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 janar – Markat tregtare sportive janë prodhimet më të falsifikuara që shiten në tregun e Maqedonisë në tre vitet e kaluara, shkruan gazeta KOHA. Sipas kontrolleve të realizuara nga ana e Inspektoratit të tregut, në vitin 2016, mallrat false më të shpeshta kanë qenë atletet “Adidas” dhe “Najki” si dhe çantat luksoze të grave të brendeve “Guçi” dhe “Luj Viton“. Nga ana tjetër, në vitin 2014 dhe 2015, ndër markat tregtare më të falsifikuara kanë qenë atletet “Najk”, “Adidas” dhe “Puma”. Në parim, institucionet kompetente veprojnë në mënyrë parandaluese, siç është Inspektorati shtetëror i tregut që kontrollon tregun në Maqedoni dhe Dogana, ku vjen malli i importuar dhe falsifikuar. Kina, Turqia, Greqia dhe Bullgaria janë shtetet prej nga më shumë vijnë prodhimet e falsifikuara dhe atë jo vetëm të tekstilit, por edhe ushqimit dhe llojeve të tjera. Të dhënat tregojnë se në nivel vjetor konfiskohet mall në vlerë prej 10 milionë euro që më vonë shkatërrohet në furrat e Deponisë “Drislla”. Nga Inspektorati shtetëror i tregut thonë se në bazë të Ligjit për pronësi industriale, kryejnë kontrolle lidhur me dyshimet për prodhimet e falsifikuara në bazë të kërkesës së mbajtësit të kësaj të drejte dhe sipas detyrës zyrtare. Në raste se konstatohen shkelje dhe vërtetohet se prodhimi shitet i falsifikuar, atëherë ndërmerren masat ligjore. Inspektorati shtetëror i tregut kryen kontrolle për respektimin e dispozitave të Ligjit për pronësi industriale, duke vepruar më tej në bazë të konstatimeve të verifikuara. Nëse konstatohet shkelje atëherë, prodhimet konfiskohen dhe shkatërrohen. Ekonomistët thonë se falsifikimi dhe vendosja në qarkullim të palejuar të brendeve botërore është një trend botëror në rritje që nuk mund t’i ik as Maqedonia, por shtojnë se për banorët e shteteve me standard të ulët, blerja e prodhimeve me emra të rrejshëm të brendeve botërore paraqet shpëtim për buxhetin familjar.
“Falsifikimi i prodhimeve të ndryshme dhe shitja e tyre anekënd botës, është një trend global që nuk anashkalon asnjë shtet në botë, ku më të goditura janë shtetet në zhvillim ku bëjmë pjesë edhe ne. Qytetarët e vendeve me ekonomi të dobëta dhe paga të ulëta siç është Maqedonia, shpesh i ikin blerjes së prodhimeve falso, jo nga qejfi apo preferencat, por për shkak se nuk ka mundësi të blejnë prodhime më cilësore qofshin ato edhe origjinale. Nga ana tjetër si shtet konform marrëveshjeve të nënshkruara kemi obligim të luftojmë piraterinë dhe të mbrojnë pronësinë intelektuale ku në vitet e fundit mund të thuhet se janë arritur rezultate të konsiderueshme që dëshmohet edhe me kapjen, por edhe shkatërrimin e mallrave të falsifikuar që shpesh gjatë vitit organizohet nga organet kompetente”, thotë profesori universitar, Neritan Turkeshi. Sipas tij, kompanitë që punojnë me prodhimet origjinale, më së shpeshti parashtrojnë ankesa për ekzistencën e markave tregtare të falsifikuara. Në ndërkohë, mbrojtja e të drejtës së pronësisë industriale, gjegjësisht e shitjes së prodhimeve të falsifikuara, është e rregulluar me dispozitat e Ligjit për mbrojtje industriale. Në rast se inspektori konstaton se janë shkelur të drejtat e pronësisë industriale, ngrihet procedurë që përfshin mënjanimin e mangësive si dhe sjelljen e vendimit që subjekti juridik që shet mall të falsifikuar të tërheq atë nga qarkullimi. Nëse personi juridik apo fizik nuk i tërheq nga shitja prodhimet e tilla, në atë rast sillet vendimi për ndalesën e veprimtarisë për 30 ditë, mbyllen hapësirat ku kryet veprimtaria dhe merren prodhimet. Sendet që merren përkohësisht, shkatërrohen, pas vendimit të plotë-fuqishëm gjyqësor. Një organ tjetër shtetëror që lufton mallrat që hyjnë në tregun e Maqedonisë të falsifikuara, është edhe Dogana e Maqedonisë. Parfumet, sapunët, si dhe kremrat e brendeve të njohura janë vetëm një pjesë e mallrave që ka ndalur ky institucion, nën dyshimin se janë falsifikim i brendeve të njohura. Vetëm në periudhën prill deri në qershor të vitit 2016, 85 për qind e mallit të ndaluar janë prodhime të kozmetikës që më së shpeshti e kanë prejardhjen prej Holande. Gjithashtu, në bazë të konfirmimit të shkeljes së të drejtës për pronësi intelektuale, vetëm gjatë tremujorit të dytë të 2016-ës nën mbikëqyrje të Doganës janë shkatërruar 1621 copa të falsifikuara dhe atë 509 bateri, 203 dëgjuese, 215 këllëf për celularë, 223 palë atlete, 260 bluza, 72 parfum dhe 112 veshmbathje për fëmijë. Gjithashtu, në vitin e kaluar, më 26 prill, me rastin e shënimit të Ditës së pronësisë intelektuale, Drejtoria e Doganës në bashkëpunim me përfaqësuesit e markave tregtare të regjistruara në Maqedoni në Deponinë “Drislla” shkatërruan afër 2200 copë mall të falsifikuar. Për mallin u konfirmua se e shkel të drejtën e pronësisë intelektuale të markave të njohura tregtare.
Ndryshe, mallrat e falsifikuara dhe pirate marrin pjesë deri në 2,5 për qind në tregtinë botërore, me një vlerë prej 461 miliardë dollarë, që dukshëm dëmton punën e kompanive dhe zbraz arkat shtetërore vlerëson Organizata për bashkëpunim ekonomik OECD. Tregtia me prodhime të falsifikuara, siç janë çantat “Luj Viton” apo atletet “Najk”, është përkeqësuar në dhjetët vitet e fundit. Këtë e dëshmon edhe studimi paraprak i OECD-së, sipas të cilit, ky lloj malli merrte pjesë me 1.9 për qind në tregtinë botërore, gjegjësisht me 200 miliardë dollarë. Efektet negative të mallit të falsifikuar janë shumë më të mëdha për shtetet e pasura ku punon numri më i madh i kompanive që prodhojnë mallra të brenduara.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.