Ne që kemi mbetur këtu vazhdojmë me mendje të jemi atje duke u zhytur në ëndrrën se liria dhe realizimi është atje diku përtej këtij gardhit tonë gjersa ato atje, vazhdojnë të jenë me trup atje kurse me mendje të jenë këtu dhe për gjithçka që i ndodh në jetën e tyre të kërkojnë njohjen dhe miratimin tonë. Vazhdojmë të kultivojmë zhgënjimin qoftë ne të mbeturit qoftë ata të ikurit!
Nga Latif MUSTAFA
Emigrimi është tema më aktuale në mjediset tona. Sot veç një gjë bisedohet. Ikja. Si mund të ikim, kush paska ikur dhe çfarë mund të punohet atje diku larg në utopinë e premtuar, janë disa nga të vetmet tema të tavolinave ku të rinjtë pinë kafe dhe kalojnë kohën. Emigrimi si fenomen shoqëror trajtohet çdo ditë nga mediat, institutet dhe debatet jo formale. Fare pak flitet për emigrimin si ndjesi dhe introspeksion. Në këtë kontekst shkruhet pak për të, ngaqë ata që ikin s’kanë menduar asgjë më shumë se vetë akti i ikjes, kurse të ikurit tani iu kanë nënshtruar punës robëruese dhe gjejnë dot kohë për vëzhgime të brendshme abstrakte.
Gjatë një bashkëbisedimi me një shok kërçovar më ngjalli kureshtjen, siç më ndodh rëndom gjatë bisedave me atë, të mendoj rreth një fenomeni që deri më tani më ka ikur vagëllimthi. Ka të bëjë me publikimin e suksese të individëve të ndryshëm në botën perëndimore. Deri këtu është gjithçka në rregull. Portale dhe dritare të ndryshme informimi në rrjetet sociale vazhdojnë të postojnë e rishpërndajnë lajmet dhe sukseset e ndryshme të individëve të cilët korrin suksese atje diku në botën perëndimore. Në parim, secili ka të drejtën e ndarjes së lajmeve të mira, të këqija – larg qofshin – me miqësinë e ngushtë dhe të gjerë. Pyetjet që shtrohen janë: Pse suksesi jonë ka rëndësi për të tjerët atje poshtë, për ata që jetojnë në provincë? Dhe, pse ka kaq shumë rëndësi suksesi i dikujt që nuk jeton në mesin tonë, që nuk na sjellë as të mira as të këqija?
Pyetje të thjeshta që mbase në shikim të parë duken egoiste që shpërfaqin smirë dhe urrejtje por jo, ka shumë se kaq. Nëse arrijmë të depërtojmë në formulimet e tyre, tekstet kur qëndisen nga këta njerëz – shpeshherë me gabime të shumta drejtshkrimore – qëndisen në aso mënyre, besoj në mënyre krejt të pavetëdijshme, që mesazhi të mos jetë i thjeshtë por me nivele të ndryshme interpretimi. Tesktet në thellësi përmbajnë një lloj dëshpërimi dhe revolte politike, ngaqë suksesi në Gjermani apo gjetiu nuk është i njëjtë me suksesin e arrirë në vendin tënd. Intrispeksioni dhe vëzhgimet depërtuese shpirtërore të japin të kuptosh se e arritura e tyre ka kuptim veç kur perceptohet nga tjetri. Atyre nuk mjafton vetja. Në Gjermani apo gjetiu, askush nuk i gëzohet suksesit tënd, ngaqë atje je një i huaj. Duke qenë i tillë ti nuk ekziston në mbamendjen e tyre, nuk je të të shkuarën e tyre. Ti je inekzistent. Gjithçka që kërkon është që të paktën, ajo provinca jote e shkretë aty ku të njohin të gjithë, të të njohë këtë sukses. Po ashtu, këta të “suksesshëm” gjersa e kumtojnë lajmin e suksesit njëkohësisht kumtojnë edhe revoltën e akumuluar për vendin që e braktisën. Në një farë mënyre suksesin dhe realizmin e tyre ua mundësoi veç emigrimi jashtë vendi. Rrjedhimisht ata kërkojnë edhe empatinë edhe admirimin tënd. Por edhe poshtërimin si mendësi dhe mllefin tënd si një person që nuk ke arritur të dalësh dhe akoma je në një vend humnere dështakësh. Revolta dhe mllefi yt është konfirmimi i suksesit të tyre. Ata do të rehatohen veç kur ti të jesh i mllefosur.
Kureshtje ngjallë edhe shpërndarja e këtyre lajmeve nga portalet dhe fan-grupet e rrjeteve sociale me karakter lokal. Ajo që më bën kureshtar është suksesi i përvetësuar i tjetrit. Tjetri, i cili ka ka ikur në utopinë e premtuar është i suksesshëm, fillimisht, nga shkaku i prejardhjes së tij dhe së dyti nga “largpamësia” e tij për të ikur nga ky vend. Një kërçovar, bie fjala, është i suksesshëm në Gjermani sepse është kërçovar dhe së dyti që e ka kuptuar se duhet ikur nga këtu. Ky është një kompleks tjetër ku ne vetën e njohim veç përmes suksesit të tjetrit i cili fillimisht ia ka arritur të ikë nga ky “moçal” dhe së dyti paska shënuar një sukses, i cili mund të jetë krejtësisht të parëndësishëm dhe të pakuptimtë për botën tonë këtu. Por ama megjithatë, prejardhja e tij na mundëson që edhe “ne” t’ngujuarit këtu në provincë të prekim suksesin që na mungon. Pyetjet që na bëjnë edhe më kureshtarë dhe e shtrojnë diskutimin më gjerë janë: Çfarë mund të konsiderohet sukses për tjetrin dhe sukses për veten? Sa kemi hak si vete në suksesin e tjetrit? Meqë prejardhja, lokale, fisnore e provinciale e bën dikë të suksesshëm, atëherë çfarë bëri ky i suksesshëm me sukseset e veta për vendin e tij? Cili qe kontributi i tij, pos postimit të lajmit, për suksesin e tij? Nëse s’e paskemi dashur këtë njeri në mesin tonë dhe nëse shkaku i mossuksesit të tij paskemi qenë ne dhe rrethi jonë, atëherë me çfarë të drejte kërkojmë pjesë në suksesin e këtij njeriu?
Në të dyja rastet, si në rastin e atij që e proklamon një sukses dhe shpreson t’i njihet nga provinca e tij dhe të krenohet me të, si me këta të provincës që suksesin e atij në emigracion e shohin si sukses të prejardhjes së tij lokale e fisnore dhe triumfin e tij të ikjes në perëndim, kritikën në ndërtojnë një një kontekst të fshehur politik. Që të dyja mendojnë se është vendi apo gjeografia ajo që i solli suksesin dhe realizimin këtij individi. Kjo është e vërtetë, por e mangët.
Është e vërtetë që bota perëndimore të jep mundësi dhe shanse shumë më të mëdha për sukses, mbase edhe ti njeh vlerat e tua dhe të ngritë në pozita shumë të rëndësishme dhe domethënëse, gjë që nuk ke mundur t’i imagjinosh në vendin tënd. Por ama nuk duhet harruar që, në ato vende ku sot shumë të rinj e kërkojnë fatin e tyre, kanë kaluar nëpërmes një procesi të rëndë industrializimi, tëhuajsimi dhe revolucioni të përgjakshëm social. Europa është kontinent i dhembjes dhe ka lindur si qytetërim nga vështirësitë, skamja dhe klima e keqe kontinentale e Europës, kurse Gjermania ka rilindur si shtet veç pas një luftë shkatërruese dhe shkërmoqëse deri në indin më bazik të shoqërisë, luftë kjo paqen e së cilës e paguan rinia gjermane me mish, gjak e djersë. Prandaj edhe suksesi yt krejt minor atje është i parëndësishëm. Ti edhe ashtu ke shkuar atje si kuadër i përgatitur e që këtë përgatitje e ke marrë në saje të një sakrifice të pashembullt prindërore, përmes gjakut e djersës, për të përfunduar në fund në një ingranazh të një vendi krejt të pakuptimtë për ty. Prandaj edhe kthimi i syve këndej për të njohur suksesin tënd përbri mllefit dhe revoltës ndaj stepjes për ta bërë betejën e revolucionit politik për një vend më të mirë, kërkon edhe njohjen dhe miratimin e suksesit tënd që vërtetë, as për ne nuk ka rëndësi, ngaqë nuk na shërben neve. Lajmet për sukseset e njerëzve tanë në perëndim janë një lloj shpagimi shpirtëror se gjoja këto ikje po ia vlejnë por thellë në esencën e tyre ato shfaqin zhgënjimin e fshehur për mossuksesin tonë personal, betejën e humbur shoqërore dhe shkatërrimin e ëndrrës për utopinë që tani është shndërruar në distopi.
Ne që kemi mbetur këtu vazhdojmë me mendje të jemi atje duke u zhytur në ëndrrën se liria dhe realizimi është atje diku përtej këtij gardhit tonë gjersa ato atje, vazhdojnë të jenë me trup atje kurse me mendje të jenë këtu dhe për gjithçka që i ndodh në jetën e tyre të kërkojnë njohjen dhe miratimin tonë. Vazhdojmë të kultivojmë zhgënjimin qoftë ne të mbeturit qoftë ata të ikurit!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)