Po të mos ishte ajo natë e ftohtë janari në vitin 2011, kur Fabio Paratici, ende i ri në zanat, do të udhëtonte nga aeroporti i Hanoverit deri në Volfsburg, aty ku ende nuk ishte ndërtuar një pistë avioni, sigurisht që nuk do të kishte marrë kurrë jetë BBC e famshme.
Barzagli, Bonuçi dhe Chiellini… Ishte koha kur Del Neri drejtonte bardhezinjtë dhe kur “Zonja” lundronte në mesin e renditjes. Ende jo stabilitet në ekip dhe mundësi financiare të mëdha.
Pikërisht në nevojë, shpesh dalin zgjidhjet dhe bastet e fituara. Kështu, Fabio Paratici, drejtori sportiv i bardhezinjve, do të merrte avionin për të shkuar në Gjermani, aty ku një kampion bote nuk po kalonte një moment të shkëlqyer dhe klubi i tij nuk kishte ndër mend që t’i rinovonte kontratën.
Kështu, Juventusi nuhati se rikthimi në Itali i Barzaglit, pas eksperiencës së kaluar në Gjermani, ku u transferua nga Palermo për thuajse 12 mln euro në verën e vitit 2008, do të ishte ideali për ta ribërë një mbrojtës fantastik.
U deshën vetëm 300 mijë euro që të arrihej akordi, plus bonuse në rast se “Zonja” do të shkonte në Champions League, diçka që nuk ndodhi… Vitin tjetër, me ardhjen e Contes në pankinë, gjërat ndryshuan shumë shpejt dhe “muri” i mbrojtjes bardhezi nisi të fortifikohej deri te BBC të cilën do ta kishte zili e gjithë bota.
Tetë trofe radhazi të fituar dhe kupa të tjera, por edhe dy finale Champions të luajtur. Për Barzaglin ishte një rilindje, një karrierë e dytë në top.
“Duhet t’i bëj statujë Paraticit, sepse udhëtoi në Volfsburg me makinë nga aeroporti i Hannover, ku mbërriti. Erdhi për të më parë në një ndeshje dhe më tha se kishte ndjekur të gjitha ndeshjet e mia në Bundesliga”, do të shprehet Barzagli, që më pas zbulon për BBC e famshme: “E shpiku Conte duke hedhur bazat e suksesit”.
Në të ardhmen, Barzagli i ka idetë e qarta: “Do të bëhem trajner, po bëj kursin në Koverçiano”.