Shkup, 11 shkurt – Ministrat e mbrojtjes të Greqisë e të Maqedonisë do të jenë të parët qeveritarë nga vendet fqinje që do të takohen pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së Prespës, njofton Koha.
Ministri grek i mbrojtjes Evangelos Apostolakis dhe ajo e Maqedonisë Radmilla Sheqerinska, do të takohen të mërkurën gjatë ministeralit të NATO-s, siç thanë për Klan Maqedoni burime zyrtare në Athinë. Ka shumë gjasë që pas takimit të komunikohet zhvillimi i një stërvitjeje të përbashkët të forcave të armatosura, në zbatim dhe të nenit 17 të marrëveshjes, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, transmeton Klan.
Ndërkaq, sipas analistëve, Athina duhet të lëvizë shpejt në këtë drejtim, për të mos i lënë kohë Turqisë.
“Në Athinë askush nuk dëshiron që pas hyrjes së Maqedonisë Veriore në NATO, të ketë një rritje të influencës turke në forcat e armatosura të vendit fqinj. Prandaj dhe kontaktet në nivel të ministrave të Mbrojtjes dhe forcimi i marrëdhënieve ushtarake përbëjnë të vetmen rrugë për palën greke”, nënvizon e përditshmja vendase, “Kathimerini”. (koha.mk)