Përkundër dallimeve ekzistuese me kreditorët ndërkombëtarë, autoritetet greke janë optimistë se të dy palët do të arrijnë marrëveshje teknike më së voni deri 20 mars, njoftoi ANA-MPA. Agjencia, duke iu referuar burimeve në Qeverinë greke, njofton se në vijimin e deritanishëm të negociatave u tejkalua problemi me pjesën fiskale dhe se Fondi monetar ndërkombëtar (FMN) ka dhënë garanca se nuk do të paraqitet “vrimë” në buxhetin e Greqisë për vitin 2018.
Burimi i njëjtë shtoi se tani negociatat janë orientuar ndaj masave që duhet t’i ndërmerr Qeveria, si dhe për çështje të lidhura me reforma në tregun e punës. Sipas tij, me marrëveshjen teknike që Athina pret të arrihet deri më 20 mars, nuk do të parashihen masa që Qeveria greke do të duhej t’i zbatojë gjatë vitit 2019.
Kreditorët ndërkombëtarë prej vitit 2010, e deri tani, Greqisë i miratuan tre pako ndihmë. Pakoja e fundit, e miratuar në korrik 2015, parashikon që Greqisë t’i paguhet hua me vlerë 86 miliardë euro. Prej kësaj shume, deri tani Athinës ia janë transferuar 31,7 miliardë euro.
Në këmbim, Qeveria greke u obligua që t’i rrisë tatimet dhe t’i zvogëlojë pensionet dhe rrogat e të punësuarve në sektorin shtetëror. Athina tani tenton të arrijë marrëveshje teknike për pagesë të transhës së re nga ndihma, pa me këtë rast të duhet të zbatohen masa shtesë për kursim.