Vendimi i një gjykatësi federal për t’i pezulluar përkohësisht dekretin e tij për ndalim-hyrje është “qesharak” ka thënë Trump dhe ka premtuar se do të anulohet. Ai e përqeshi Gjykatësin James Robart edhe personalisht, duke ju drejtuar me “i ashtuquajturi” gjykatës. Përkundër zemërimit, Trump tani për tani po e respekton vendimin e gjykatësit, i cili anuloi dekretin e publikuar para një jave dhe i cili u ndalonte hyrjen në SHBA qytetarëve të shteteve myslimane dhe të gjithë refugjatëve. Në të vërtetë, Ministria e Drejtësisë e SHBA-ve të shtunën u ankua kundër vendimit të gjykatësit, por një gjykatë e apelit hodhi poshtë rikthimin e vendimit për ndalimin e hyrjes në ShBA. Autoritetet e qeverisë që të shtunën iu kthyen praktikës së mëhershme të udhëtimeve. Pas disa vendimeve gjyqësore kundër dekretit të Trumpit, ai i James Robart ishte goditja më e rëndë. Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit të Washingtonit, Bob Ferguson, i cili kishte nxitur urdhrin e përkohshëm, e kishte arsyetuar padinë me atë se dekreti i Trumpit shkel të drejtat themelore të emigrantëve, të cilat i garanton Kushtetuta amerikane. “Askush nuk qëndron mbi ligjin – as presidenti”, tha ai. Trump tani për herë të parë e pa se çka është sistemi i “checks and balances”, pra i kontrollit të ndërsjellë të organeve kushtetuese. Kjo përvojë e zemëroi atë aq shumë, saqë nga resori i tij luksoz në Florida qëlloi me batare nga Twitteri kundër gjykatësve. Presidenti tha se gjykatësi Robart po e privon “vendin tonë nga ndjekja penale”. “Ku do të shkojë vendi ynë nëse një gjykatës bllokon ndalimin e hyrjes me qëllim të mbrojtjes së atdheut dhe pastaj çdokush, madje edhe njerëz me qëllime të këqija, mund të vijnë në SHBA?” Debakli i Trumpit me dekretin e tij filloi para vendimit të gjykatësit. urdhri ishte përgatitur në mënyrë diletante, shumë detaje qenë joprecize, mes qeverisë shumë gjëra nuk ishin sqaruar. Kësisoj, në aeroporte u krijua kaos – shoqëruar me demonstrues të zemëruar, me protesta të partnerëve të huaj dhe me shkarkimin e ushtrueses së detyrës të ministres së Drejtësisë. “Sulmi i Trumpit kundër gjykatësit ka rritur shqetësimet se ai mund të injorojë ndarjen e pushteteve. pastaj SHBA-të mund të rrëshqasin në një krizë kushtetuese. Kongresmeni Adam Schiff dënoi deklaratën e Trump: “ky i ‚ashtuquajtur‘ gjykatës është emëruar nga një i ‚ashtuquajtur president dhe është konfirmuar nga ‚i ashtuquajturi senat”. Profesori i Drejtësisë në Harvard Laurence Tribe tha se sulmi i Trumpit kundër drejtësisë është paralajmërim shqetësues për të ardhmen. Sipas tij në 150 vitet e fundit asnjë president tjetër nuk e ka sulmuar personalisht një gjykatës.