Atalanta e Berat Gjimshitit e kishte shkruar prej kohësh historinë në Champions League, duke u kualifikuar për herë të parë në këtë turne por mbrëmjen e së mërkurës hapën një faqe të re duke kaluar në fazën me eliminim direkt. Fitorja në xhiron e fundit në fazën e grupeve përballë Shakhtar bëri që tifozët të qëndronin deri në orët e para të mëngjesit për të pritur në aeroport heronjtë e tyre.
Afro 1,500 tifozë i dhuruan Gjimshitit me shokë një pritje të ngrohtë duke i shoqëruar nga aeroporti deri në hotel. Shumë tifozë të tjerë festuan në qendër të qytetit për këtë kualifikim historik, një ëndërr e bukur e bërë tashmë realitet.