Skuadra e Santiago Solari arriti të merrte një fitore bindëse ndaj Viktoria Plzen…tre pikë shumë të vlefshme, por gjithashtu edhe një përmirësim të imazhit në arenën ndërkombëtare.
Benzema, Bale, Kroos, Casemiro, Ramos edhe pse javëve të fundit kanë qenë në qendër të kritikave, dhuruan një perfomancë të mirë. Një dritës shprese për një ekip që kishte humbur besimin në vetvete me Julen Lopetegui dhe që po lufton ta fitojë atë me Solarin në krye. Por situata përtej fushës së blertë nuk sheh ndonjë përmirësim. Disa lojtarë nuk janë me argjentinasin. Sigurisht, dihet që bëhet fjalë për ato futbollistë që nuk po marrin minutat që presin; Modric, Isco, Asensio dhe Keylor Navas.
Kostarikani, i cili me Lopetegui luante në Champions League, po sheh sesi Solari po i merr edhe atë pak që i kishte mbetur, për t’ia dhënë Courtois. Edhe Isco Alarcón nuk ka ngurruar që të shprehë zemërimin e tij, që po luan si zëvendësues. Gjithashtu, situata është komplekse edhe kur bëhet fjalë për Luka Modriç. Kroati nuk është në formën e tij më të mirë dhe kohët e fundit është futur në lojë si zëvendësues, shumë për një pretendent të “Topit të Artë”. Nënkampioni i botës nuk është ndjerë i qetë as me Lopetegui dhe as me Solarin. Thashethemet se ai mund të largohet nga Real Madrid sa vijnë dhe po rriten. Inter, Kina dhe MLS po trokasin në derën e tij.
Një tension në dhomat e zhveshjes që errëson triumfin 5-0 të Madrid në Plzen, ku Benzema ka treguar shenja përmirësimi me Bale dhe Vinicius- ky i fundit si zëvendësues- ishin partnerë në valle.