Fisnik NUHIU
Reprezentacioni i Maqedonisë në futboll, për herë të parë në histori do të ketë përfaqësuesen e vetë në Kampionat Evropian. Nuk do të jenë seniorët ata që do të luajnë në evropian, por do të jetë kombëtarja U21, të cilët muaj më parë arritën suksesin më të madh që ndonjëherë ka bërë një përfaqësuese e futbollit të Maqedonisë. Ata u renditën të parët në grup dhe siguruan pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohet gjatë vitit 2017 në Poloni. Reprezentacioni i Maqedonisë do të jetë në grupin B, së bashku me Portugalinë, Serbinë dhe Spanjën. Mirëpo, meritë për sigurimin e biletës për në Poloni, kanë edhe pesë futbollistët shqiptarë: Enis Bardhi, Besir Demiri, Mevlan Murati, Egzon Bejtullai, dhe Visar Musliu. Këta futbollistë shqiptarë së bashku me bashkëlojtarët e vet shkruan historinë në futbollin e Maqedonisë. KE në Poloni do të luhet në gjashtë qytete, Krakov, Kjelce, Lublin, Gdinj, Bidgoshq dhe Tuqi.
Mevlan Murati (i lindur me 5 mars 1994, në Tetovë) – Karrierën si futbollistë Murati e nisi në shkollën e Shkëndijës së Tetovës, ku me sukses kaloi të gjitha gjeneratat dhe më pas për t’u bërë pjesë e ekipit të parë. Mevlan Murati gjatë sezonit 2013/2014 luajti në kampionatin e Shqipërisë te skuadra e Partizanit, ndërsa më pas u rikthye te Shkëndija për t’u huazuar përsëri gjatë sezonit 2015/2016 te skuadra e FC Shkupi, si i huazuar nga Klubi i Shkëndijës. Mirëpo, pas ndeshjeve të mira që tregoi me Shkupin, ai përsëri u rikthye te Shkëndija për të marrë pozitën e titullarit. Murati cilësohet si një ndër mbrojtësit e djathtë më të mirë në kampionatin e Maqedonisë. Ai me Shkëndijën këtë vit ka marrë pjesë edhe në ndeshjet kualifikuese të Europa Ligës. Përveç, që është titullarë me ekipin ku luan, Murati me suksese ka kaluar edhe të gjitha gjeneratat e reprezentacionit të Maqedonisë. Ka nisur që nga U15 edhe deri në U21. Suksesi më i madh i Muratit, gjatë karrierës si futbollistë, është kualifikimi në Evropian me Maqedoninë U21.
Çfarë pret Mevlan Murati në Evropian me Maqedoninë? “Kemi një grup shumë të fortë, ku lirishtë mund të them se në te janë favoritët kryesor të këtij kampionati. Ne dëshmuam se mundemi të bartemi me të gjitha përfaqësueset tjera dhe jemi të gjithë të barabartë. Synimi im është të paktën të marrim pikë në grup dhe shpresoj në një kualifikim”.
Vlera momentale e Mevlan Muratit, sipas transfermarket, është 300 mijë euro.
Enis Bardhi (i lindur me 2 korrik 1995, në Shkup) – Enisi vjen nga fshati i Bllacës së Maqedonisë. Me futbollin filloi qysh në moshë të re te skuadra e KF Skupi. Shkathtësitë e tij për futbollin u vërejtën qysh në fillim. Karrierën e vazhdoi te të rinjtë e FC Shkupit, ku luajti për 1 vit. Ndërsa në moshën 18 vjeçare arriti të transferohet jashtë Maqedonisë, në kampionatit danez, te skuadra e Brondbyt. Bardhi edhe te Brondby qëndroi për një vit, ndërsa ishte pjesë e ekipit të rinjve. Pas Brondbyt, ai u transferua në Suedi te ekipi i Prespa Birlik. Në fillim ishte pjesë e skuadrës B, ndërsa më pas luajti edhe për seniorët. Pas ndeshjeve të mira me skuadrën e Prespa Birlik, Bardhi u transferuar në kampionatin hungarez te ekipi Ujpesht. Që nga viti 2014 e deri më sot Bardhi është pjesë e kësaj skuadre. Ai cilësohet mesfushor shumë i talentuar dhe ka një të ardhme të ndritur. Enis Bardhi është edhe futbollistë standard i reprezentacionit të Maqedonisë. Ai e nisi që nga U15 e deri te ekipi i A i Maqedonisë. Suksesi më i madh i Enisit si futbollistë është kualifikimi në Evropian me Maqedoninë U21.
Çfarë pret Enis Bardhi me Maqedoninë në Evropian. “Jemi më një grup të fortë, por edhe në dëshmuam se jemi të fortë, do të japim maksimumin, siç bëmë edhe gjatë fazës së kualifikimeve. Synimi ynë është që të bëjmë më të mirën deri në fund. Shpresojmë në rezultate pozitive”.
Vlera e Enis Bardhit, sipas transfermarketet, për momentin është 500 mijë euro.
Egzon Bejtullai (i lindur me 7 janar 1994, në Tetovë) – Karrierën futbollistike Egzon Bejtullai e nisi te ekipi i Teteksit të Tetovës. Në fillim ishte pjesë e ekipit të të rinjve, kurse më pas, në moshën 16 vjeçare, debutoi për ekipin e parë të Teteksit, kurse atë kohë luante në Ligën e Parë të Maqedonisë. Talenti i Egzonit u vërejte menjëherë nga drejtuesit e KF Shkëndijës, të cilët e transferuan atë te ekipi i “kuqezi”. Egzoni cilësohet si një ndër mbrojtësit qendror më të mirë në vend dhe është titullar te ekipi i aktual, Shkëndija. Bejtullai me skuadrën “kuqezi”, ka fituar kupën e Maqedonisë. Egzon Bejtullai është pjesë edhe e reprezentacionit të Maqedonisë U21, ndërsa suksesi i tij më i madh si futbollistë është kualifikimi në Kampionatin Evropian me Maqedoninë U21. Synimi i Bejtullai në Kampionatin Evropian me Maqedoninë është që të arrijnë sukses si ai i grupeve.
“Sigurisht se ka mundur të jetë një short më i mirë se ky, por edhe më i keq. Është Kampionat Evropian dhe 12 përfaqësuese që janë kualifikuar, sigurisht se e kanë merituar këtë. Mendoj se do të kemi sukses në Evropian, pasi jemi një grup kualitativ, e dimë se në Poloni janë kombëtarët më të mira, ndërsa në mesin e tyre jemi edhe ne. Nuk do të thotë që në Poloni do të shkojmë për tu dorëzuar, do t’i shijojmë ndeshjet një nga një, pasi kjo do të jetë një kënaqësi e madhe për ne”.
Çmimi momental i Egzon Bejtullai, sipas transfermarketet, është 350 mijë euro.
Visar Musliu (i lindur me 13 nëntor 1994, në Gostivar) – Me futbollin Visari filloi në moshë te re te ekipi i qytetit të Gostivarit, KF Gostivari. Musliu ka qenë i suksesshëm në të gjitha moshat e kësaj skuadre. Talenti i tij e vërejti klubi i Renovës, i cili e transferoi në ekipin e parë. Ndeshjet e mira me Renovën bënë që Musliu në vitin 2014 të transferohet te ekipi Zviceran, St Gallen. Mirëpo, Musliu nuk arriti të luajë për ekipin e parë dhe ishte pjesë e skuadrës U21, ndërsa këtu qëndroi një periudhë të shkurtë, më pas përsëri për t’u rikthyer te Renova, ku edhe aktualisht luan. Me reprezentacionin e Maqedonisë, Visari i ka kaluar të gjitha grupmoshat që nga U15 deri te U21. Visar Musliu cilësohet si një ndër mbrojtësit më të mirë dhe shumë shpejtë mund ta shohim në ndonjë ekip tjetër. Mbrojtësi gostivaras do të jetë pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë U21 në Kampionatin Evropian, ndërsa shpreson se do t’ia dalin mbanë. “Në Evropian nuk do të shkojmë me flamur të bardhë. Atje do të shkojmë t’i tregojmë vlerat tona. Të dëshmojmë se nuk ishte i rastësishëm i gjithë ky sukses. Shpresoj se do t’ia dalim mbanë”.
Vlera e Visar Musliut, sipas transfermarketet, momentalisht është 250 mijë euro.
Besir Demiri (i lindur me 1 gusht 1994, në Shkup) – Besir Demiri vjen nga Haraçina e Shkupit, ndërsa hapat e para si futbollist i nisi te shkolla e futbollit Beshiktash nga Çairi. Pasi kaloi me sukses moshat e reja, Demiri u bë pjese e Shkëndijës së Haraçinës ku garonte në Ligën e tretë të Maqedonisë. Edhe pse i ri në moshë, ai ishte futbollisti më i dalluar në ekip. Ndeshjet e tija të mira me Shkëndijën e Haraçinës e vërejtën menaxherët e FC Shkupit dhe menjëherë e transferuan në ekip. Demiri filloi qysh në moshën 18 vjeçare të luaj me ekipin e parë të Shkupit. Ndërsa nga viti 2014, ai është bërë pjese e skuadrës së Shkëndijës së Tetovës. Demiri me Shkëndijën e Tetovës ka arritur të fiton kupën e Maqedonisë, ndërsa me sukses është paraqitur në ndeshjet kualifikuese të Europa Ligës. Ndeshjet e mira me ekipin “kuqezi”, bën që ai të jetë pjesë e reprezentacionit U21 të Maqedonisë, ndërsa me përfaqësuesen e Maqedonisë arriti sukses të madh duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian. Ndërkaq, nga janari Demiri do të veshë fanellën e Vardarit për tre vitet e ardhshme. Deri më tani Besir Demiri ka zhvilluar edhe dy takime me përfaqësuesen A të Maqedonisë. Demiri shprehet i kënaqur që do të jetë pjesë e Kampionatit Evropian. “Jam shumë i kënaqur me vet pjesëmarrjen në Evropian. Synim kryesor i imi është që ta prezantojmë sa më mirë futbollin e Maqedonisë, pasi shihet pozicioni i përfaqësueses më të mirë. Nuk do të dorëzohemi, edhe pse kemi kundërshtarë shumë të fortë në grup. Shpresojmë se do të dëshmojmë se e kemi merituar të jemi pjesë e këtij evenimenti të madh sportiv”.
Vlera momentale e Demirit, sipas tranfermarketet, është rreth 500 mijë euro.