Driton ZENKU
Gostivar, 2 maj – Ndër sëmundjet më të pranishme dhe më së shpeshti që sulmojnë banorët e Gostivarit është edhe sëmundja e astmës, e cila dita ditës po bëhet më e pranishme. Në qendrën e astmës e cila funksionon në suaza të Spitalit të Gostivarit tani e 7 vite, dita ditës po rritet numri i pacientëve që kryejnë spiromteri e cila është hapi i parë për identifikim të kësaj sëmundje, shkruan gazeta KOHA. Gjatë vitit të kaluar, gati 4000 pacientë i janë nënshtruar spirometrisë, ndërsa vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti, këtë terapi e kanë ndjekur gati 1500 pacientë të tjerë, por te disa prej tyre nuk është konstatuar kjo sëmundje. Astma po bëhet problem gjithnjë më i shpeshtë dhe tejet shqetësues edhe për banorët e rajonit të Gostivarit. Një numër të saktë të të sëmurëve nga kjo sëmundje nuk ka, sepse diagnoza e fundit për praninë e astmës tek pacienti vendoset në Shkup, por evidencat e mjekëve që merren me trajtimin e kësaj sëmundjeje në Spitalin e Gostivarit tregojnë tendencë rritje në këtë drejtim. Në qendrën që funksionon në kuadër të Spitalit të Gostivarit, i cili funksionon tash më 7 vite, po bëhet spirometria e cila paraqet hapin e parë për identifikimin e sëmundjes.
4000 PACIENTË KANË BËRË PIROMETRI
Doktor Suzana Ismailova nga Dispanzeri i Tuberkulozit në Gostivar njofton se gjatë vitit të kaluar janë paraqitur rreth 4000 pacientë për të bërë pirometri. Ndërkaq, deri në fund të muajt prill, testin e spirometrisë në qendrën e Gostivarit e kanë bërë 1400 pacientë që nënkupton se numri po rritet. “Gjatë vitit të kaluar janë paraqitur rreth 4000 pacientë për të bërë pirometri, të cilët nuk janë të gjithë të sëmurë nga astma, numër ky që është shumë i lartë, por me keqardhje po e them se ndoshta gjysma e tyre janë me astme. Për diagnozë të saktë të astmës duhet bërë test përkatës që bën provokimin e sëmundjes i cili bëhet në klinikat e Shkupit. Ndërkaq, deri në prill të këtij viti, testin e spirometrisë në qendrën e Gostivarit e kanë bërë 1500 pacientë që nënkupton se numri po rritet”, njofton Ismailova.
Në qoftë se sëmundja identifikohet dhe trajtohet në kohë, astma mund të mbahet nën kontroll dhe pacientit të mos i shkaktojnë asnjë lloj problemi në përditshmërinë e tij. “Terapia ekziston, trajtimi është solid dhe shumë e rëndësishme është që pacienti të kuptojë se duhet në mënyrë të rregullt ta shfrytëzojë terapinë dhe në mënyrë të rregullt. Nga ana ime dhe nga ana e mjekëve amë mendoj se mjaftueshëm u jepen sqarime pacientëve për mënyrën e trajtimit dhe marrjes së terapisë , sidomos aplikimit të sprejeve përkatës, që është shumë e rëndësishme. Nëse pacienti bën shfrytëzim jo të drejtë të terapisë, rezultati do të jetë zero. Por kur bëhet shfrytëzim i drejtë, kjo do të thotë sëmundje stabile, gjendje stabile, evitim i simptomave me çka pacienti mund të merret edhe me sport apo me punë të tjera fizike dhe të mos i shfaqet asnjë komplikim”.
NË MAQEDONI KA DERI 100.000 TË SËMURË NGA ASTMA
Numri i të sëmurëve nga astma në Maqedoni arrin 80.000 deri 100.000. Pacientët e rinj janë gjithnjë e më të shumtë, ndërsa shtohen edhe alergjenët, ndotja e ajrit, dioksidi i azotit dhe dioksidi i sulfurit… Këtë të martën e theksoi drejtoresha e Klinikës për pulmologji dhe alergologji, Biserka Jovkovska Qaeva, me rastin e 2 Majit, Ditës botërore për luftë kundër astmës, e cila shënohet me moton “Ajër më të mirë për frymëmarrje më të mirë”.
Theksoi se në vitin 2014, numri i të sëmurëve nga astma ka qenë 3.900, ndërsa në vitin 2015 – 4.200, ndërsa këtë vit deri më sot ka 1.521 të sëmurë. “Numri i kontrolleve në ambulancë është rritur, megjithatë numri i të sëmurëve të hospitalizuar në pesë-gjashtë vitet e fundit stagnon. Terapia, të cilën të sëmurët tanë e marrin, ndërsa përdoret edhe në vendet e zhvilluara, jep fryt. Nëse pacientët e përdorin terapinë rregullisht, atëherë ata mund të kenë jetë normale cilësore”, tha Jovkovska Qaeva. Sqaroi se më shumë se dhjetë vite pasi që përdoret kjo terapi më moderne inhalatore nuk kanë parë status astmatikus, që është pasqyra më e rëndë klinike e të sëmurëve me astmë, që në të kaluarën kanë ndërruar jetë. “Astma është sëmundje respiratore kronike, që karakterizohet jo gjithmonë me pasqyrë të zakonshme të kollës të thatë, fishkëllimë në kraharor, frymëmarrje të vështirësuar, dispne… Astma ka shumë simptoma që përputhen me ato të sëmundjeve të tjera dhe nevojitet kohë më e gjatë që të mundemi ta definojmë pasqyrën e vërtetë klinike”, shtoi Jovkovska-Qaeva. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve,Jovkovska-Qaeva tha se kapaciteti i shtretërve në Klinikë është 48, ndërsa sipas saj është i pamjaftueshëm për mjekimin e të gjithë të sëmurëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara