Sëmundjet kronike nga dita në ditë po shtohen, ndërkaq mjekët dhe specialistët apelojnë për kontrolle dhe trajtim të rregullt të sëmundjeve, pasi vonesat mund të shkaktojnë probleme serioze në shëndetin e qytetarëve
Arbër KADRIU
Shkup, 18 maj – Vala e Kovid-19 ka marrë përmasë më të qetë në numrin e të infektuarve dhe të viktimave. Këtë gjë e vërtetojnë edhe shifrat e përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit të Shëndetit Publik. Por, tani më çështja e virusit korona edhe përskaj pasojave të saja siç duket ka ngelë paksa mënjanë në opinion, pasi që sëmundjet kronike të ndryshme e në veçanti te sëmundjet kronike të mushkërive ka bërë që vëmendja e stafit mjekësor të jetë mbi pacientët të cilët vuajnë me këto komplikime shëndetësore, të vazhdueshme për çdo vit. Në Ditën Botërore të Astmës, javë më parë, ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, informoi se numri i pacientëve me astmë në vendin tonë është nga 80 mijë në 100 mijë dhe është në rritje të vazhdueshme. Nga reparti i pediatrisë, mjekja Sulltana Asani, për gazetën KOHA , ka deklaruar se gjendja në repartin e tyre në Tetovë është e qetë. “Në repartin tonë deri më tani situata ka qenë e qetë. Nuk ka pasur edhe shumë raste të rënda, edhe pse ekzistojnë komplikime sidomos ato të bronkitit, ndezjeve të mushkërive, e sidomos kohën e fundit edhe të alergjive sezonale, por shpesh janë raste të ndërhyrjeve gjatë kujdestarisë”, ka deklaruar Asani.
Sipas informatave paraprake po ashtu thuhet se në Klinikën e Pediatrisë në Shkup janë detektuar edhe infeksione të hepatitit C, Fruthit apo Rota-virusit, ku sipas drejtoreshës, Aspazija Sofjanova, çdo ditë kryhen qindra shërbime ambulantore të fëmijëve dhe kurimin spitalor përpiqen ta shkurtojnë për tu lënë shtretër të lirë tjerëve. Aktualisht janë të shtruar 85 fëmijë. Ndërkohë mjekja Bardha Bakiu, thekson se në këtë periudhë përveç sëmundjeve të lartpërmendura bashkërenditen edhe simptomat më të shpeshta të alergjive si shkak i stinës së pranverës, që sipas saj alergjitë e pa trajtuara mund të shkaktojnë deri në shkaktimin e probleme serioze me mushkëritë.
“Alergjenët më të shpeshtë që shkaktojnë simptoma respiratorë janë të ambienteve të brendshme, mikroorganizmat në pluhurin e shtëpisë, kafshët shtëpiake dhe myku. Në alergjenët e jashtëm: poleni i bimëve dhe drunjtëve. Vlen të theksohet se viteve të fundit kemi rritje te rasteve, si në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Por ajo që ka rëndësi është se çfarë duhet të bëjmë që këta pacientë të kenë jetë sa më cilësore pra si edukimi i pacientit mbi këtë problem si dhe shmangia e kontaktit me këta alergjenë. Për alergjinë nga poleni duhet të dini që poleni i bimëve qarkullon bashkë me erën për kilometra dhe kështu arrin kudo. Masat që rekomandohen për të shmangur polenin gjatë sezonit janë; qëndrimi sa më pak jashtë dhe dushi pasi ktheheni në shtëpi që të largoni polenin që mund të keni në flokë dhe në trup”, thekson Bakiu.
Nga Instituti Shëndetit Publik theksojnë se sëmundjet kronike e veçanërisht ato të mushkërive sikurse astma, kanceri mushkërive, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, turbekulozi e të tjera kërkojnë që të trajtohen në mënyrë të mirëfilltë nga specialistët e fushës, e që sipas tyre shëndeti i mushkërive ka një rëndësi qenësore për arritjen e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme. (koha.mk)