ASOCIACIONI! Ide e rrezikshme për një popull shtetformues

 

Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski lidhur me idenë e Alternativës tha se politikanët duhet të kenë kujdes me propozimet që i japin. Ndërsa, nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, i cili është edhe lider i të ashtuquajturve “Grupi i Zjarrit”, mbështet propozimin e Alternativës opozitare për formimin e një asociacioni të komunave shqiptare në vend sipas shembullit të Kosovës. Ndërkaq për analistin politik, Sefer Selimi ideja e Alternativës për “Asociacion” në Maqedoni, është joserioze dhe tepër e rrezikshme

Xhenur ISENI

Shkup, 27 shkurt – Alternativa propozon shumicë komunash shqiptare në Maqedoni, sipas modelit që kërkohet në Kosovë. “Në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur secili diplomat perëndimor që vjen në Prishtinë e përsërit refrenin ‘të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë!’, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (BDI, ASH dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë” theksojnë nga Alternativa. Partia e Gashit shton se kjo mund të jetë një kauzë që mund t’i bashkojë të gjitha partitë shqiptare, madje edhe Alternativën që nuk ka komunë. “Ta fillojmë që sot nismën “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut” mbase kështu arrijmë edhe te tema e reciprocitetit gjuhësor mes shqipes në Maqedoninë e Veriut dhe serbishtes në Kosovë” thekson Alternativa.

Advertisements

Kreu i VMRO-së, Mickoski lidhur me idenë e Alternativës tha se politikanët duhet të kenë kujdes me propozimet që i japin. “Në Maqedoni një pjesë e kushtetutës është Marrëveshja e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit e garanton karakterin unitar të Maqedonisë. Nëse ka parti politik në Maqedoni të cilat dëshirojnë ta braktisin Marrëveshjen e Ohrit, atëherë duhet të thonë qartë para gjithë opinionit, se ata nuk e pranojnë Marrëveshjen e Ohrit, pas të cilit qëndrojnë si garantues e tërë bashkësia ndërkombëtare dhe se ata nesër atë marrëveshje nuk do ta respektojnë. Unë i paralajmërojë politikanët në Maqedoni të kenë kujdes, të mos i ndezin tensionet ndëretnike, ngase Maqedonia është shtet multietnik, dhe me sjellje të këtillë të papërgjegjshme mund vetëm t’i ndezin këto tensione dhe si të tillë të sjellin një numër të madh të problemeve për të gjithë qytetarët”, tha ai.

Ndërkaq, nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, i cili është edhe lider i të ashtuquajturve “Grupi i Zjarrit” në parti, mbështet propozimin e Alternativës opozitare për formimin e një asociacioni të komunave shqiptare në vend sipas shembullit të Kosovës. Ai thotë se është evidente nevoja e avancimit të procesit të decentralizimit në interes të komunave, por edhe në interes të qytetarëve, sepse ai pushtet është më afër tyre. “Asociacioni në Kosovë do të ketë efekt domino në rajon sepse qytetarët udhëtojnë dhe ndajnë, familjet tona janë të lidhura dhe gjysma janë në Kosovë dhe gjysma këtu. Epo, nëse serbët me katër për qind mund të kenë një asociacion dhe të kenë të drejta të dukshme, atëherë është e qartë se kjo do të ndikojë edhe tek shqiptarët që janë të paktën 30 për qind në Maqedoni dhe pretendojnë të njëjtat të drejta”, ka thënë Mexhiti.

Ndërkaq për analistin politik, Sefer Selimi ideja e Alternativës për “Asociacion” në Maqedoni, është joserioze dhe tepër e rrezikshme.  “Lëshimi në opinion i një ideje si puna e ‘Asociacionit’ si lopa bajgën e bën këtë ide jo vetëm joserioze por edhe të rrezikshme. E para dhe më e rëndësishmja, vendosja e shqiptarëve të RMV në të njëjtin kontekst me minoritetin serb në Kosovë është jologjike, nuk përkon me realitetin dhe është absurde. E dyta, shqiptarët në RMV nuk janë minoritet 4%, por popull shtetformues që përbëjnë 1/3 e qytetarëve të këtij vendi dhe udhëheqin me 50% të territorit në nivel lokal. Kjo e bën edhe më absurde idenë për minimizimin dhe përçmimin e shqiptarëve të cilët janë të integruar në nivelet më të larta udhëheqëse shtetërore. E treta, të ndodhur në konfuzion të plotë pas daljes së beftë në opozitë – Alternativa me këto ide të ngutura, të pamenduara mirë dhe plotësisht absurde i shërben vetëm narrativit të etno-nacionalistëve Maqedonas.  E katërta, kjo parti me këto ‘ide të guximshme’ pse nuk i proklamoi për sa kohë ishte në qeveri por tash që e përzunë në opozitë?! Madje, nëse janë kaq të “guximshëm” për të promovuar kështu ide “radikale dhe ekstreme” pse nuk shkojnë përtej dhe të propozojnë “federalizim apo ndarje të RMV”?”, ka theksuar Sefer Selimi, analist. (koha.mk)