Asnjë reformë s’mund të ndalë ikjen e mjekëve!

Gjermania është shteti, të cilin mjekët nga Maqedonia e zgjedhin më shpesh për të punuar, por mantelbardhët orientohen edhe në shtete të tjera të Evropës. Ndërkaq, mungesa e mjekëve më e theksuar është në viset rurale, ku qytetarët nuk mund të marrin as shërbimet e mjekut amë

 

Shkup, 29 janar – Gjithnjë e më shumë mjekët e rinj nga Maqedonia, perspektivën e tyre po e shohin jashtë vendit. Mjekët thonë se paga është arsyeja kryesore se pse mjekët nga Maqedonia vendosin të shkojnë jashtë vendit. Për ilustrim, një mjek specialist i ri në një Klinikë në Maqedoni merr pagë prej rreth 500 euro në muaj, përderisa paga e tij fillestare në vendet e Evropës Perëndimore është të paktën pesëfish më e lartë. Pagat e ulëta, mungesa e kushteve në spitalet publike, si dhe futja e politikës në menaxhimin e spitaleve shtetërore, ka bërë që mjekët të largohen nga Maqedonia rrjedhimisht të ndihet edhe mungesa e kuadrit të specializuar, si anesteziologë, mikrobiologë, gjinekologë, etj në spitalet shtetërore.

Gjermania është shteti, të cilin mjekët nga Maqedonia e zgjedhin më shpesh për të punuar, por mantelbardhët orientohen edhe në shtete të tjera të Evropës. Ndërkaq, mungesa e mjekëve më e theksuar është në viset rurale, ku qytetarët nuk mund të marrin as shërbimet e mjekut amë. Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Venko Filipçe, për Radion Evropa e Lirë thotë se punohet seriozisht në përpunimin e një modaliteti që për të gjithë qytetarët të sigurohet ndihma shëndetësore, veçanërisht në viset rurale përmes të ashtuquajturave “ambulanca mobile”.

Ministri Filipçe thotë se mjekët nga Maqedonia nuk largohen vetëm për shkak të pagave të ulëta, por, siç shprehet ai, edhe për shkak të kushteve në institucionet shtetërore. Sipas tij, kjo përbërje qeveritare është angazhuar me seriozitet për ndërtimin e qendrave të reja mjekësore. “Mjekët nuk largohen vetëm për rrogat që marrin, ata largohen edhe për kushtet në punë dhe për këtë ne ndërmarrim hapa seriozë – do të fillojmë me investimin në Qendrën e re Klinike, të vetëdijshëm se ky kampus i vjetër nuk mund t’i kënaqë kushtet, nuk mund të sigurojë infrastrukturë ku mund të inkorporohen edhe teknika të reja në punë. Përveç kësaj, një segment shumë i rëndësishëm është edhe fillimi i partneriteteve publike-private, që do të thotë: hapje e infrastrukturës ekzistuese private, përkatësisht e spitaleve private, për mjekët tanë, përkatësisht për pacientët tanë”, thotë Filipçe.

Por, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se masat që ka ndërmarrë edhe kjo përbërje qeveritare nuk prodhojnë efekt përderisa vitin e kaluar, pra më 2018, janë larguar nga Maqedonia më shumë se 250 mjekë dhe kjo ka bërë që pacientët tanimë të privohen nga shumë shërbime mjekësorë si pasojë e mungesës së mjekëve. “Në shumë qytete në Maqedoni ndjehet deficit i mjekëve. Nuk ka mjekë se kush të kujdestarojë, mungojnë mjekët specialistë në shumë lëmi. Paguhen mjekë nga Shkupi me shuma të larta vetëm e vetëm të shkojnë të punojnë në Strumicë, Gjevgjeli, Radovish dhe shumë qytete të tjera të Maqedonisë lindore, po edhe asaj perëndimore”, shprehet Taravari.

Nga Oda Mjekëve të Maqedonisë theksojnë nevojën e një Ligji që me saktësi të definohen të drejtat e mjekëve dhe infermierëve. “Përfundimisht, është më se e nevojshme që me ligj të veçantë të rregullohet statusi i personelit mjekësor. Kjo gjë duhet të rregullohet në formën e njëjtë siç janë të rregulluara të drejtat dhe obligimet e pacientëve”, thekson Ylber Besimi, nënkryetar i Odës së Mjekëve të Maqedonisë.

Ai potencon se është kërkuar të përfshihen në politikat e ndarjes së specializimeve për të ulur deficitin e mjekëve specialistë në lëmi të caktuara. “Kemi shumë probleme shkaku i mungesës së specialistëve, siç është rasti me anesteziologë, patologë, infektologë, neurologë etj., në shumicën e rajoneve të Maqedonisë dhe kjo duhet të paraqesë alarm për strukturat udhëheqëse të vendit”, konsideron Besimi.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se mungesa e mjekëve specialistë në shumë qendra mjekësore në qytetet e ndryshme të Maqedonisë, është zgjidhur në atë mënyrë që mjekë nga Shkupi asistojnë në këto Shtëpi Shëndeti për një ose dy javë dhe sërish kthehen në vendin e tyre të punës. “Ky problem tashmë po zgjidhet, siç thashë, me pranimin e mjekëve të rinj – një numër i madh mjekësh dhe infermieresh u pranuan gjatë vitit 2018, mirëpo bëjmë edhe sistemin e ashtuquajtur të rotacionit – përkatësisht nga klinikat e Shkupit, mjekët shkojnë dhe qëndrojnë në spitalet ku ka mungesë mjekësh të specializimit të tyre dhe atje kalojnë nga një javë-dy. Në këtë mënyrë, për të mbuluar në mënyrë komplete kërkesat për atë specializim dhe për atë shërbim në atë spital ku kuadri i tillë mungon”, thotë Filipçe.

Mirëpo, Taravari thotë se problemi që ka të bëjë me mungesën e mjekëve, nuk mund të zgjidhet në mënyrë parciale, por duhet punuar një strategji kombëtare, e cila siç thotë, duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe funksionale në kushte të Maqedonisë. Ndryshe, pacientët në Maqedoni ankohen se për shkak të mungesës së infermierëve në shëndetin publik, nuk mund të marrin shërbime cilësore. Ata ankohen se aparatura në Shtëpitë e Shëndetit është shumë e vjetër dhe për diagnostikimin e sëmundjeve të caktuara, ata detyrohen të nxjerrin para nga xhepi për të paguar në ordinanca private shëndetësore. Analizat e organizatave të ndryshme ndërkombëtare bëjnë të ditur se nga Maqedonia, pesë vjetët e fundit janë larguar më shumë se 600 mjekë.

Në bazë të një analize të realizuar vitin e kaluar, mungon kuadër i specializuar prej së paku 150 gjinekologësh. Ndërkohë, që sipas të dhënave nga Fondi i Shëndetësisë në Maqedoni, ka të regjistruar 144 mjekë amë, por një e treta e tyre punojnë në qytetin Shkupit. Kështu që pjesa më e madhe e grave në shumë qytete të Maqedonisë dhe vise rurale, nuk mund të kryejnë as kontrollet më të thjeshta, të cilat mund të bëhen te gjinekologu amë.