99 gjyqtarët e caktuar përfaqësojnë 46 shtete dhe janë përzgjedhur nga plot 53 treshe arbitrash, të cilët u përgatitën dhe testuan për një periudhë 3-vjeçare. FIFA organizoi seminare të vazhdueshme dhe gjyqtarët kaluan përgjatë një procesi përgatitor, ku u vlerësuan aftësitë individuale e personaliteti, si dhe aftësia e çdonjërit prej tyre për t’u përshtatur me taktikat e veçanta që përdorin skuadrat apo dhe leximin e situatave të ndryshme të lojës.
Evropa spikat me numrin më të madh të gjyqtarëve, 10 janë gjyqtarë kryesorë ndërsa 20 është numri i asistentëve nga Kontinenti i Vjetër. Ndër emrat më të rëndësishëm nga Evropa është gjermani Feliks Bryh, që drejtoi finalen e edicionit të kaluar në “Champions League” ndërmjet Realit të Madridit e Juventusit dhe ka eksperiencë edhe në botërorin brazilian si dhe në kampionatin e fundit evropian Francë 2016. UEFA përfaqësohet gjithashtu me italianin Xhanluka Roki, turkun Xhyunejt Çakir, rusin Sergei Karasev, holandezin Bjorn Kuipers, serbin Milorad Maziç, spanjollin Mateu Lahoz, sllovenin Damir Skomina, polakun Szymon Marciniak si dhe francezin Klement Turpin.
Sa i përket pjesës tjetër dy gjyqtar janë nga Oqeania, ndërkaq gjithë konfederatat që mbeten kanë një ndarje të barabartë ndërmjet tyre, me Afrikën, Azinë, Amerikën e Jugut si dhe Amerikën Qendrore e Veriore që përfaqësohen me nga 6 gjyqtar secila. Një tjetër seminar dyjavor do të mbahet në Itali, në Koverçiano në gjysmën e dytë të muajit prill, ku do të marrin pjesë gjithashtu edhe kandidatët që do të ngarkohen me përgjegjësitë e VAR-it, për të vepruar si “Video Assistant Referee”, ndërkaq zyrtarë të lartë të FIFA-s kanë bërë të ditur se seminari përfundimtar për gjyqtarët do të zhvillohet në Moskë, dhjetë ditë përpara se të fillojë kampionati i ardhshëm botëror.
Spikat mungesa e madhe e shpikësve të futbollit Anglisë, që nuk do të ketë arbitër në një aktivitet të këtyre përmasave për herë të parë që nga Kupa e Botës e vitit 1938, megjithëse në botërorin rus bie në sy gjithashtu edhe mungesa e gjithë vendeve të “Home Nations” në këtë aspekt, pra përveç Anglisë në edicionin e 21 të kampionatit botëror nuk do të ketë qoftë edhe një gjyqtar as nga Skocia, Uellsi apo dhe Irlanda. As ndër 63 asistentët nuk do të ketë asnjë arbitër britanik. Ndërkohë në Kupën e Botës për të parën herë do të përdoret VAR.
Lista e 36 gjyqtarëve:
1 Feliks BRYH
2 Xhynejt ÇAKIR
3 Sergej KARASEV
4 Bjorn KUIPERS
5 Szymon MARCINIAK
6 Antonio Miguel MATEU LAHOZ
7 Milorad MAZIÇ
8 Xhanluka ROKI
9 Damir SKOMINA
10 Klement TURPIN
11 Julio BASCUNAN
12 Enrike KASERES
13 Andres KUNHA
14 Nestor PITANA
15 Sandro RIÇI
16 Vlmar ROLDAN
17 Joel AGUILAR
19 Jair MARRUFO
20 Rikardo MONTERO
21 Xhon PITTI
22 Cesar Arturo RAMOS PALAZUELOS
23 Fahad AL MIRDASI
24 Alireza FAGHANI
25 Ravshan IRMATOV
26 Mohammed Abdulla MOHAMED
27 Ryuji SATO
28 Navaf Abdulla SHUKRALLA
29 Mehdi ABID CHAREF
30 Malang DIEDHIOU
31 Bakary Papa
32 Ghead GRISHA
33 Janny SIKAZVE
34 Ceyesa Bamlak
35 Mathev CONGER
36 Norbert HAUATA