Omer XHAFERI
Shkup, 17 janar – Ndotja e mjedisit jetësor, ndonëse vit pas viti shënon rritje, megjithatë deri më sot, institucionet relevante nuk kanë shqiptuar asnjë sanksion (dënim), i cili buron nga dispozita e Kodit Penal, shkruan gazeta KOHA. Politika ndëshkuese e shtetit e përfshirë në këtë Kod, parasheh ndëshkimin e shkeljeve të ndryshme ligjore, përfshi edhe “ndotjen e natyrës dhe mjedisit jetësor”, si vepër e posaçme penale. Dëmtimi i të mirës publike, respektivisht ndotja e ambientit, siç thuhet në Kodin Penal është e rregulluar me nenin 218. Lartësia e dënimeve, për ata persona që me veprimet e tyre do të shkaktojnë ndotje të ajrit, siç thuhet në Kodin Penal të Maqedonisë, fillon nga katër e deri në dhjetë vite dënim me burg, gjegjësisht dënim më i vogël në këtë drejtim është gjoba me të holla.
“Dënim me burg prej katër deri në dhjetë vite heqje lire është e paraparë për atë, i cili me lëshimin sasisë më të lartë të gazrave helmuese, në ajër, në ujë apo në tokë ose përmes ndonjë forme tjetër ka shkaktuar dëmtimit të dukshëm të kualiteti të ajrit. Njëkohësisht këto masa ndëshkuese janë paraparë t’i shqiptohen edhe atyre që me veprimet e ngjashme e kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e njerëzve apo të botës bimore dhe shtazore”, thuhet në paragrafin 1, të nenit 128 të Kodit Penal të Maqedonisë.
Ndalesat për punë, marrja e licencave apo gjoba në të holla, paraqesin masat më të shpeshta ndëshkuese të cilat autoritet shtetërore i shqiptojnë, si hapa për parandalimin e ndotjes së ajrit, posaçërisht në Shkup dhe rrethinë. Nga ana tjetër, hetimet dhe procedimet e deritanishme nuk kanë rezultuar me shqiptimin e ndonjë sanksioni të rëndë, siç është dënimi me burg prej katër vitesh, apo më tepër, për ndotjen e ambientit jetësor.
Ndotja e ajrit dhe mjedisit jetësor, sipas analizave të realizuar kohë më parë nga ana e Qytetit të Shkupit, treguan se amvisëritë dhe komunikacioni i dendur paraqesin faktor kryesor të rritjes së ajrit të ndotur në kryeqendër. Ndërkaq, Prokuroria Publike, inicioi procedure për shqyrtimin e veprimtarisë së deponisë “Drislla”. Hetimet e filluar nga kjo prokurori, janë duke u realizuar pikërisht në bazë të neni 218, i cili në rast të vërtetimit të shkeljeve ligjore, përgjegjësia penale, respektivisht dënimet e larta me burg, gjithsesi do të ndodhin.
Kjo deponi shumë e përfolur në periudhë e fundit, për banorët e Komunës së Studeniçanit, me theks të posaçëm për ato të fshatit Batincë, është problematike vite me radhë. Hedhja e bërllokut dhe djegia e materieve të panjohur në deponinë “Drislla”, ka qenë shqetësim vetëm për këta banorë, por jo edhe për kompetentët.
Situata më e rëndë dhe kundërmimi i erës së keqe, në këtë fshat, periferik të Shkupit, më tepër ndihet gjatë kohës së verës. Mirëmbajtja e mjedisit jetësor dhe natyrës, është e drejtë qytetare të cilën e garanton Kushtetuta e Maqedonisë, ku mes tjerash nënvizohet se çdo njeri në vendin tonë e gëzon të drejtën e mjedisi jetësor të pastër dhe të shëndetshëm. (koha.mk)