Asma Al-Assad ose “Zonja e Ferrit” diagnostikohet me kancer

Zonja e parë e regjimit sirian, Asma Al-Assad është diagnostikuar me sëmundjen e kancerit të gjirit. Këtë e ka njoftuar vetë zyra e presidentit sirian nëpërmjet rrjeteve sociale. “Me forcë dhe besim, zonja Asma al-Assad fillon fazën e parë të trajtimit për një tumor malinj të gjirit, i zbuluar në fazat e hershme”, është shkruar në foton e publikuar, ku duket Bashar Al-Assad dhe Asma që po merr mjekimet.

42-vjeçarja shkroi në rrjetet sociale: “Unë i përkas sirianeve për qëndrueshmërinë, forcën dhe si të përballen me vështirësitë. Vendosmëria ime vjen nga vendosmëria dhe forca juaj në vitet e fundit. Ndërsa nuk ka asnjë të dhënë se ku po trajtohet “Zonja e parë e Ferrit”, mediat siriane shkruajnë se ajo është në një spital ushtarak në kryeqytetin sirian të Damaskut.

Njoftimet e tilla për sëmundje serioze në shtetet totalitare, siç është Siria, janë të rralla, pasi cilësohen si tabu. Sëmundja e babait të Basharit, Hafez Al-Assad ishte sekret i madh shtetëror dhe ai u shfaq vetëm në javët e fundit të jetës. Ish-punonjësja e bankës ka nënshtetësi të dyfishtë britaniko-siriane. Asma ka lindur në Britaninë e Madhe. Ajo u martua me diktatorin sirian në vitin 2000 dhe ata kanë tre fëmijë.

Asma al-Assad ka folur rrallë në publik për luftën civile në Siri. Ajo është shfaqur për publikun në ngjarje të karakterit humanitar, në pjesët ku ushtria siriane ka kontrollin e territorit. Ndërsa njihet botërisht për jetën e luksit dhe shpenzimet marramendëse që bën.