Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 5 maj, do të jetë garë e vështirë mes kandidatit të LSDM-së Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska nga VMRO-DPMNE. Sipas analistëve beteja kryesore do të jetë se si të motivohen votuesit shqiptarë që të dalin në numër më të madh në votime sepse tani shqiptarët nuk kanë kandidat të tyre
Zejnula VESELI
Shkup, 25 prill – Me 5 maj në Republikën e Maqedonisë së Veriut mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale 2019 dhe votat e mbi 1.8 milion votues do të zgjedhin njërin nga dy kandidatët, Stevo Pendarovskin, mbështetur nga partitë në pushtet LSDM dhe BDI si dhe , Gordana Siljanovska-Davkova, mbështetur nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, shkruan gazeta KOHA. Sipas analistëve politik deri në mbajtjen e rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, Pendarovski me orientim pro-evropian dhe rivalja Siljanovska me ideologjinë e vjetër nacionaliste maqedonase, do të vazhdojnë t’i ndajnë votuesit maqedonas për të fituar më shumë vota, por edhe me disa oferta të reja për zgjidhjen e disa çështjeve të hapura të shqiptarëve, në mënyrë që të përfitojnë ndonjë votë nga votë shqiptare.
Naser Ziberi analist politik vlerëson se rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale më 5 maj do të jetë një garë e vështirë në aspektin se si ta motivojnë elektoratin të dalin në votime. “Duhet të ofrojnë diçka më shumë e sidomos për votuesit shqiptarë. Është bukur vështirë që edhe njëherë të motivohet elektorati që të ketë pjesëmarrje më masovike duke pasur parasysh se në rrethin e parë mezi u arrit pragu zgjedhor. Pra beteja kryesore do të jetë se si të motivohet votuesit e sidomos elektorati shqiptarë që të dalin në numër më të madh në votime sepse tani shqiptarë nuk kanë kandidat të tyre që duhet të dalin e ta votojnë’, thotë Ziberi.
Ndërsa sa i përket rezultatit final te zgjedhjeve të 5 majit Ziberi supozon se kandidati i shumicës parlamentare do të jetë fitues. “Me vetë faktin se retorikën të cilën e përdori 20 ditë gjatë fushatës zgjedhore para mbajtjes së rrethit të parë të zgjedhjeve Siljanovska si kandidate e VMRO-DPMNE-së përjashtojnë e mundësinë që në rrethin e dytë ta voton elektorati shqiptarë. E ne veçanti duke pasur në konsideratë të kaluarën e kandidates dhe VMRO-DPMNE-së rreth çështjeve siç janë ligji për gjuhën shqipe dhe disa ligje tjera që avancojnë çështjen shqiptare dhe Marrëveshjes së Prespës Ato votues shqiptarë që do të dalin të votojnë me 5 maj jam shumë i bindur se nuk do të përcaktohen për kandidaten e VMRO-DPMNE-së”, thotë Ziberi.
Mirëpo por kur është fjala për retorikën që në fushatë e përdori kandidati i LSDM-së mbështetur nga BDI-ja e cila ishte shumë ndryshe nga kundër kandidatja kryesore Siljanovska Ziberi është i bindur se qytetarët shqiptarë tani më e kanë të qartë se duhet të mbështete Pendarovski për kryetar të shtetit. ” Sigurisht rrethin e dyte Pendarovski do të ketë me shumë vota në raport me kandidaten e VMRO-DPMNE-së. Përsëris edhe njëherë kjo do të e jet e mundshme vetëm nëse në rrethin e dyte plotësohet pragu zgjedhor prej 40 për qind dalje në votim. Ajo që është e rëndësishme në këto zgjedhje e që u vërtetua edhe në rrethin e parë është se votuesit shqiptarë do të votojnë sipas bindjes së tyre. Edhe ne rrethin e dytë shanset janë shumë të vogla që elektorati shqiptarë të ndikohen nga institucionet partiake”, thotë Naser Ziberi. Analistja politike Olivera Trajkovska shprehet se në rrethin e parë të zgjedhjeve ideja për votimin e një kandidati konsensual nga partitë në pushtet u tregua jo e mirë sepse elektorati votues nuk i dha mbështetjen ashtu siç i kishin bërë matematikat LSDM e sidomos BDI.
“U pa qartë se kjo ide e konsensualietet dështoi. Ideja se është koha për kandidat konsensual që në start dështoi. Rezultate përfundimtare të rrethit të parë për dalje shumë të vogël të votueseve ndodhi për shkak se dikush idenë e BDI-së nuk e përkrahi për kandidat konsensual për president shteti”, thotë Trajkovska. Trajkovska shprehet se kur kemi parasysh se ideja e konsesualitetit kishte përparësi në rrethin e parë votuesit, treguan se këtë ide e përjashtojnë.
“Mendoj se nuk është fer nga BDI-ja që ende manipulon me votuesit në përgjithësi se pa amin e saj nuk mund të ketë president shteti dhe kjo është përpjekje e gabuar, sepse si do që të vendosin se cilin kandidat ta votojnë votuesit shqiptarë në rrethin e dytë, BDI-aspak nuk të drejtë të deklaroj se është mëritë e saj. Gjithashtu do përpiqet të bind votuesit shqiptarë se rrethi i parë ishte një garë ku Aleanca dhe BESA nuk fituan asgjë. Nëse në rrethin e dytë kemi rezultat që do ta zgjedhë presidentin e shtetit , BDI-ja këtë do ta llogaris si meritë të sajën që nuk do të jetë aspak e vërtetë. BDI në terren vetë e minoi idenë e konsensualitetit vetëm e vetëm të dëshmojë së në rrethin e dytë të dëshmojë se sa e fortë është politikisht.”, thotë Olivera Trajkovska analiste politike. Ndërkaq sa i përket çështjes se a ka mosmarrëveshje midis Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA që mbështesin kandidaturën e Blerim Reka rreth asaj se 80 mijë votat e rrethit të parë, në rrethin e dytë mund të shkojnë për kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa i quan spekulime sepse edhe Reka por edhe liderët e dy partive pas përfundimit të rrethit të parë deklaruan se me votat e shqiptarëve për Rekën nuk do të bëhen pazare me asnjërin prej kandidatëve .
“Nuk besoj se ka përçarje midis dy partitë që mbështesin Blerim Rekën për president shteti. Deklarata e fundit e të dy liderëve dhe kandidatit ishin të qarta se nuk do të bëhet pazar me votën e votuesve të Rekës. Kjo është zyrtare dhe jashtë kësaj asgjë tjetër nuk është e vërtetë”, shton Hoxha. Ndërsa sa përket çështjes se në rrethin e dytë elektorati duhet të del të votoj ashtu siç do të kërkojnë partitë shqiptare, si në pozitë apo opozita, Hoxha shprehet se kjo nuk do të ndodhë. “Liderët e partive dhe kandidati Reka i falënderuan votuesit që e dhanë votën e tyre për konceptin tonë. Mendoj se në këto zgjedhje për herë të parë votuesit shqiptarë treguan se e bëjnë atë që mendojnë se është më mirë par ata. Votuesit shqiptarë treguan vetëdije të lartët dhe nuk pin ujë më ajo forma që dikush tjetër t’i urdhëroj ata se për kë duhet të votojnë dhe se asnjë parti shqiptare nuk i ka në pronësi të tyre”, tha për KOHA, Arjanit Hoxha. (koha.mk)