Patriot LUMANI
Strugë, 27 shkurt – Investimi prej dhjetëra mijëra eurosh për rrugicën apo shtegun për këmbësorët rreth bregut të liqenit, e cila starton prej në dalje të qytetit dhe vazhdon në drejtim të fshatit Kalishtë, rrezikon të mos përfundojë asnjëherë për shkak se pushteti vendor akoma nuk po disponon mjetet e nevojshme financiare për ta përfunduar këtë projekt, shkruan gazeta KOHA. Tashmë edhe ato punime që janë bërë po shkatërrohen dhe po degradojnë nga dita në ditë, duke i privuar qytetarët dhe adhuruesit e natyrës nga një pamje magjepse rreth liqenit. Punimet për ndërtimin dhe shtrimin e kësaj rrugice filluan në vitin 2003, falë një donacioni nga një vend i bashkimit evropian, por ky fond i akorduar nuk mjaftoi për finalizimin e këtij investimi, i cili mbeti i papërfunduar dhe tashmë po degradon dhe po shkatërrohet dita ditës. Rrugica apo pista përreth liqenit, edhe pse në një gjendje të papërfunduar, në disa kilometra shërben dhe ka marrë karakter rekretiv për shumë qytetarë, sidomos për adhuruesit e vrapimit dhe ata të natyrës. Ajo ishte menduar si një rrugicë për këmbësorët me të gjitha elementet shoqëruese, duke filluar nga ndriçimi si dhe vende të posaçme çlodhëse me stola, pajisje të cilat tashmë tërësisht janë shkatërruar dhe vjedhur. Nga pushteti vendor, edhe pse potencojnë domosdoshmërinë e përfundimin të kësaj rrugice, sqarojnë se edhe pse gjithmonë e kanë përfshirë në programet vjetore të investimeve për vite me radhë rrugicën përskaj liqenit në drejtimit të Kalishtit, ka qenë mungesa e fondeve ajo që e ka lënë këtë investim të papërfunduar dhe në mëshirën e natyrës dhe të keqbërësve. Pavarësisht arsyeve të proklamuara për mos finalizimin e këtij projekti, për shumë qytetarë struganë konsiderohet imediate përfundimi i kësaj rrugice, sepse përveç karakterit rekreativ dhe çlodhës, ajo mund të shndërrohet edhe në një atraksion turistik, si për qytetin ashtu dhe për fshatin Kalishtë, për shkak të panoramës së bukur që ofron liqeni dhe bregu i tij. Por, pamundësia financiare si dhe mos kujdesi i duhur deri tani për këtë rrugicë, kanë rezultuar edhe me shkatërrimin si dhe degradimin permanent edhe të atij investimi që është bërë nga të huajt nëpërmjet një donacioni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.