Analiza e “Smardart”, tregon se trenat në Maqedoni me 53.1 kilometra në orë në mesatare janë pesë herë më të ngadalshëm se mesatarja prej 250 kilometra në orë e trenave modern në botë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 tetor – Shpejtësia e trenave në Ballkanin Perëndimor akoma është shumë e vogël në raport me trenat modern dhe të shpejtë të Perëndimit, shkruan gazeta KOHA.
Analiza e portalit ekonomik “Smardart”, tregon se trenat në Maqedoni me 53.1 kilometra në orë në mesatare janë pesë herë më të ngadalshëm se mesatarja prej 250 kilometra në orë e trenave modern në botë. Trenat më të ngadalshëm janë ata të Shqipërisë me 27.6 kilometra në orë. Në Bashkimin Evropian, trenat më të ngadalshëm janë në Kroaci me 58.2 kilometra në orë, ndërsa nga shtetet e rajonit trena të ngadalshëm lëvizin edhe në binarët e Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë me afër nga 54 km në orë. Trenat më të shpejtë në Evropë janë ata francez me 575 km në orë së bashku me trenat gjerman që arrijnë 500 km në orë.
Në vitet e kaluara, komunikacioni hekurudhor në Maqedoni shënon rënie të dukshme. Për shkaqe objektive, por edhe subjektive se vjen e më pak trena qarkullojnë nga Shkupi , por edhe në drejtim të kryeqendrës së Maqedonisë së Veriut. Linjat ndërkombëtare nga Shkupi shkojnë vetëm deri në Prishtinë, ndërsa në Beograd dhe Selanik qarkullojnë vetëm në muajt e verës. Në transportin e brendshëm qarkullojnë 15 linja të trenit, dhe atë nga katër prej Shkupi deri në Tabanoc dhe Veles, nga tre deri në Veles, nga dy deri në Gjevgjeli dhe nga një deri në Kërçovë dhe Koçan dhe anasjelltas.
Uljen e madhe e transportit hekurudhor të pasagjerëve vjen si rrjedhojë e modernizimit të ngadalshëm, biletave të lira të avionëve, por edhe preferencës së udhëtarëve që të udhëtojnë me autobus apo vetura private. Gjithashtu, ajo ka shkaktuar që të ulen dukshëm linjat në raport me para 13 viteve, kur nga Shkupi nisnin bile 32 trena në linjat vendore dhe ndërkombëtare. Në fillim të vitit të kaluar, kompania Hekurudhat e Serbisë së bashku me kompaninë greke TRAINOSE, vendosën që pas 30 shtatorit të vitit 2018, nuk do të qarkullojnë në linjën Beograd-Selanik-Beograd, për shkak të mungesës së rentabilitetit. Apo do të qarkullojnë në këtë linjë, vetëm në periudhën e verës apo prej 15 qershorit deri më 15 shtator të vitit 2019. Konfom dispozitave ndërkombëtare, ato kanë të drejtë në një vendim të tillë, për shkak se menaxhmenti i kompanive ku nisën edhe mund të ndërpresë udhëtimin treni, ndërsa Hekurudhat e Maqedonisë si menaxhment transit nuk kanë të drejtë të vendosin për një ndërprerje të tillë.
Transporti me tren në Maqedoni vite me radhë vuan edhe nga mospasja e linjës hekurudhore në drejtim të Bullgarisë që është në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2023, ndërsa me tren nga Shkupi, përmes Kërçovës deri në Durrës pritet të udhëtojmë nga viti 2030. Sfidë në të ardhmen do të jetë realizimi i linjës së hekurudhës prej Kërçovë deri në kufirin e Shqipërisë, në gjatësi prej 62.5 kilometra. Kjo linjë si pjesë e korridorit evropian tetë do ti kushtojë shtetit afër 500 milionë euro, ndërsa pritet të ndërtohet në një pjesë të madhe me kredi dhe grante të jashtme, si dhe ekspertizë ndërkombëtare ngjashëm me linjën në drejtim të Bullgarisë. Në ndërkohë, ekspertët thonë se shfrytëzimi më i madh i trenit si mjet transportues në raport me mjetet e tjera kërkon modernizimin e tij.
“Transporti me tren mund të shfrytëzohet për bartjen e mallrave dhe pasagjerëve prej Shkupit në drejtim të Tetovës, Kumanovës dhe Velesit , ku jetojnë më shumë se një milion banorë që për çdo ditë gravitojnë ndaj Shkupit. Largësia prej vetëm 50 kilometra e këtyre qendrave urbane prej Shkupit mund të jetë afër nëse pasagjerëve ju mundësohet shërbim cilësor dhe kohë e shkurtër e udhëtimit që e plotësuar me transport urban, do ti kthente ata ndaj transportit me tren”, thonë ekspertët. Bile, sipas tyre, edhe në Shkup mund të shfrytëzohet unaza e hekurudhës për të evituar tollovitë në trafik por edhe për të ulur ndotjen , duke iu mundësuar qytetarëve të Shkupit të mos jenë të detyruar të tranzitojnë në qendër të Shkupit për të udhëtuar deri në vendin e punës apo për të kryer obligimet e tyre private dhe të tjera. (koha.mk)