Nëse nuk do të ndodhë ndonjë befasi e madhe në javët e ardhshme, James Rodriguez do të jetë futbollist i Real Madridit prej 15 qershorit, datë kur i përfundon opsioni i blerjes përfundimtare nga Bayerni.
Mesfushori kolumbian nuk do të qëndrojë në Bavari, pasi Bayern e ka vendosur tashmë të heqë dorë prej tij, pas dy sezonesh në huazim ku rendimenti i James nuk ka qenë ai që pritej dhe marrëdhëniet me trajnerin Kovac nuk ekzistojnë më.
Pikërisht trajneri kroat është ai që ka kërkuar që James të mos blihet përfundimisht, edhe pse Rummenigge dhe mbështetësit e tij në klub e shohin me shumë leverdi çmimin prej 42 milionë eurosh. Megjithatë, dëshira e James për të shkuar në Madrid që verën e shkuar bëri që Kovac të acarohej shumë me mesfushorin dhe Bayerni nuk e ka harruar ende atë histori.
Në këtë mënyrë, Reali është i detyruar të marrë sërish futbollistin që e bleu për 80 milionë euro në 2014, por qëndrimi në Madrid pritet të jetë i shkurtër, sepse klubi synon ta shesë, përtej dëshirës së vetë James. Arsyeja? Zinedine Zidane nuk e ka në planet e tij, ashtu si nuk e kishte në verën e vitit 2017, kur dha OK për shitjen e tij.
Edhe pse James do e pranonte një rol dytësor në ekip, vetëm e vetëm për të qëndruar në Madrid, Zidane nuk e do edhe për faktin se bëhet fjalë për një lojtar me pagë shumë të lartë dhe që do krijonte probleme edhe në aspektin mediatik, duke e ulur shpesh në stol.
Kontrata e James përfundon në 2021, shitja e mesfushorit bëhet detyrim për të mos u afruar me skadencën e kontratës dhe për të shmangur uljen e mëtejshme të çmimit. Problemi është se pas 8 golave dhe 14 asisteve vjet, James ka pasur rënie në sezonin aktual, me 7 gola e 6 asiste në 28 ndeshje, pa harruar problemet fizike.
Kush e do James? Këtu nis ngërçi për Realin, sepse kolumbiani ka një pagë të frikshme, 8 milionë euro merrte te Bayerni, përveç bonuseve. Në këtë moment asnjë klub në Europë nuk është interesuar realisht për një futbollist që është në “tokën e askujt”, tepër i mirë për të mos luajtur rregullisht, tepër i shtrenjtë dhe problematik për të qenë titullar në klubet më të mëdhenj në Europë!