Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev në konferencën e sotme për shtyp tha se Agjencia për Siguri Kombëtare në mënyrë të paligjshme ende është pjesë e sistemit për ndjekje të komunikimit.
“Katër vite pas raportit të parë të Pribesë, gjendja me ish DSK-në mbetet e pandryshuar në shumicën e rasteve. Agjencia për Siguri Kombëtare është ende pjesë e sistemit për ndjekje të komunikimit, në kundërshtim me ligjin, respektivisht ende kanë qasje në të gjitha bisedat telefonike që janë pjesë e lëndëve për përgatitje operative nga ana e MPB-së”, theksoi Çulev.
Sipas ministrit Çulev, Agjencisë Teknike-Operative (ATO) nuk ka siguruar lidhjen teknike me strukturat përgjegjëse në MPB.
“ASK-ja ende deri më sot posedon rolin ndërmjetësues që nënkupton se ende ka mundësi teknike që ASK-ja të depërtojë në ndjekjen e komunikimeve që zhvillohet për nevojat e MPB-së gjatë hetimeve të rasteve penale”, tha mes tjerash Çulev.