Omer XHAFERI
Shkup, 21 korrik – Qytetarët të shumtë që kanë aplikuar për marrjen e përkujdesjes sociale ende nuk kanë marrë përgjigje nga Qendrat rajonale të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Edhe pse përtrirjen e dokumenteve apo aplikimeve e kanë bërë që nga muaji maj, ende nuk kanë marrë përgjigje nëse kërkesat u janë miratuar ose jo. Zëvendësministri i Punës dhe Politikës sociale, Elmi Aziri thotë se është i njoftuar me këtë problematikë. Me ndërrimin e strukturave udhëheqëse nëpër Qendrat sociale, do të përshpejtohet procesi i shqyrtimin të ankesave për asistencën sociale dhe shtesat për përkudesjen e huaj, thotë ai në një prononcim për gazetën KOHA. Aziri thekson se në procedurë e sipër janë ndërrimet e udhëheqësve të Qendrave sociale dhe pas kësaj, siç konfirmon ai, do të ndryshohet e gjithë qasja e Ministrisë së Punës dhe Politiikës Sociale ndaj qytetarëve. Nëpërmjet reagimeve të ndryshme, qytetarë të shumtë përmes redaksisë tonë kanë kërkuar sqarime se pse ende nuk janë proceduar dhe shqyrtuar dokumentet e dorëzuara në MPPS-së, lidhur me pranimin e asistencës sociale. “Besoj se kjo situatë do të debllokohet së shpejti dhe se kategoritë e prekura sociale pas ndryshimeve në struktura e Qendrave sociale, në të ardhmen do të pranojnë shërbime dhe qasje më të mirëfilltë”, thotë zëvendës ministri Aziri. Ndryshe, javë më parë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, ju bëri thirrje ish shfrytëzuesve të ndihmës sociale të cilëve i është ndërprerë ndihma sociale për shkak të transferimit të shpejtë të parave nga jashtë, serish të drejtohen tek Qendrat sociale në qytete e tyre në Maqedoni dhe të kërkojnë shfrytëzimin e te drejtës për ndihmë sociale. “I bëj thirrje ish shfrytëzuesve të ndihmës sociale të cilëve i është ndërprer ndihma sociale për shkak të transferimit të shpejt të parave nga jashtë, sërish të drejtohen tek Qendrat sociale në qytetet e tyre në Maqedoni dhe të kërkojnë shfrytëzimim e të drejtës për shfrytëzimin e ndihmes sociale”, deklaroi ministrja kohë më parë. Lajmi është konfirmuar edhe nga zëvendësministri Elmi Aziri. “Dua të ju informoj se ne si Ministri për punë dhe politika sociale kemi marrë vendim që të largojmë kufizimin absurd ‘transfer i shpejt i parave’ si kriter për ndërprerjen e ndihmës sociale. Transferi i shpejtë nuk mundë të llogaritet si e ardhur nga puna. Të gjithë personave që ju është bërë kjo e padrejtë, pa bazë ligjore, për shkak se në llogaritë e tyre bankare kanë hyrë mjete nga familjarët e tyre në gurbet dhe nga burime tjera që nuk jan si rezultat i mardhënjeve të punës iu bëjmë thirrje që të fillojnë aplikimin nëpër qendrat sociale që të kthehen në sistemin e skemave sociale. Qendrat me më së shumti raste të tilla nga gjithsej 910 janë: Tetova 209, Kumanova 204, Gostivari 130”, deklaroi Aziri. Gjatë qeverisjes së kaluar një numër i madh i shfrytëzuezve të ndihma social mbetën pa këtë të drejtë, për faktin se kishin pranuar ndonjë shumë simbolike të parave nga të afërmit të tyre, të cilët punojnë në Evropë. Këto familje për një kohë të gjatë kanë mbijetuar pa asnjë të ardhur nga shteti dhe me ndihmat e familjarëve dhe humanistëve shqiptarë. Duhet vlerësuar solidariteti i mërgimtarëve dhe disa biznesmenëve shqiptarë të cilët nuk kanë hezituar ti ndihmojnë vëllezërit dhe motrat e tyre. Ndryshe qeveria e re gjithashtu ka premtuar që brenda mandatit të rriten ndihmat sociale dhe gjithashtu të sigurohet pensioen sociale për personat të cilët nuk kanë përvojë pune. Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) ka raportuar se në Maqedoni janë më shumë se 70 mijë familje që kërkojnë asistencë sociale. Shumica nga këto familje nuk arrin të sigurojnë më shumë se 50 cent në ditë për kokë banori. Për disa qytetarë jeta në Maqedoni mund të krahasohet me disa vende afrikane.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.