Pas mbylljes së kualifikuesve për Botërorin “Rusi 2018”, kombëtarja e Shqipërisë sot (e hënë) do të zhvillon ndeshjen miqësore me përfaqësuesen e Norvegjisë. Italiani ka shfaqur një besim të plotë për grupin e tij dhe është i kënaqur se si kanë punuar djemtë e tij në këtë fazë përgatitore.
“Skuadra ka punuar mirë, me seriozitet. Është një moment i sezonit ku është e vështirë të lësh skuadrën ku luan dhe të përkushtohesh në kombëtare. Jemi gati për këtë miqësore dhe jam i bindur se do të zhvillojmë një ndeshje të mirë”, u shpreh Panuçi. Tekniku italian thotë se nuk ka ndërmend të ndryshojë asgjë dhe se dëshiron të mposhtë Norvegjinë, ashtu si e mposhti Turqinë.
“Nuk kam ndërmend të ndryshoj asgjë, kemi dëshirë ta mposhtim Norvegjinë, sikurse bëmë me Turqinë. Për të ardhmen dhe dy ndeshjet e qershorit kam një ide. Formacionin duhet t’ua them më parë lojtarëve, nuk do të ketë surpriza. U dëmtua Lilaj, do të luajë Ramadani. Është një i ri me personalitet. Jam i bindur se do të jetë lojtar shumë i rëndësishëm për formacionin. Ka lojtarë që nuk kanë luajtur, por unë u jap besimin tim, kërkoj një impenjim më serioz nga ana e tyre”, shtoi më tej tekniku italian.
Ai ende nuk ka vendosur se kush do të luajë nga fillimi, kumanovari Naser Aliji apo Ermir Lenjani. “Kam disa sulmues si Cikalleshi, Sadiku e Balaj, të shohim kush do të luajë, kam Alijin dhe Lenjanin për mbrojtjen. Do të vendos në mbrëmje, por idetë i kam të qartë”, përfundoi Panuçi.
Në anën tjetër, Odise Roshi, si lojtari me më shumë ndeshje në Kombëtare, do të mbajë shiritin e kapitenit në miqësoren me Norvegjinë. Lojtari i Akhmat Groznyt në kampionatin rus nuk e fsheh ambicien për rolin e kapitenit edhe në të ardhmen, por mbi të gjithë e vë theksin te sukseset e skuadrës.
“Ne kemi shumë lojtarë me përvojë, por edhe elementë të rinj. Ka konkurrencë dhe kjo është për të mirën e grupit. Kemi zhvilluar stërvitje me intensitet të lartë, jemi fokusuar te detyrat e trajnerit, të cilat duhet t’i zbatojmë 100 për qind. Jemi një grup shumë i mirë, Norvegjia është ekip simpatik, ka lojtarë agresivë që sulmojnë. Atmosfera te ne është shumë e mirë dhe duhet të japim gjithçka për të fituar. Është përballje mes të barabartësh. Nuk jam surprizuar, është krenari të jem kapiten i ekipit kombëtar. Është vënë një rregull, kush ka më shumë ndeshje do të jetë kapiten. Për mua ka më shumë rëndësi ndeshja e sotme dhe më bën të jem modest. Sa herë më është dhënë mundësia kam dhënë 110 për qindëshin në stërvitje dhe në ndeshje. Pse jo, ta mbaj gjithmonë”, deklaroi Roshi.
Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Norvegjisë do të fillojë në ora 19.00 në “Elbasan Arena”.