Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 shkurt- Ligji i ri për energjetikë që pritet të miratohet deri në fund të muajit shkurt, do të sjellë kritere më të rrepta për importin e naftës, që nënkupton vendosjen e kushteve më të rënda për fitimin e licencave për import dhe distribuimin e karburanteve në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Të gjitha këto masa do të ndërmerren me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të caktuara në të kaluarën kur kompani të caktuara kanë shitur vajin ekstra të lehtë për amvisëri (me akcizë prej 6.3 denarë) si dizel (me akcizë prej 15.4 denarë) që paraqet një dallim prej 9.1 denarë.
“Jemi dëshmitar për keqpërdorime të mëdha lidhur me ikjen e pagesës së kompensimeve ndaj shtetit dhe importin e vajit ekstra të lehtë që më vonë përfundon në pompat e benzinës si karburant dizel. Një gjë e tillë duhet të luftohet për shkak se dëmton si arkën e shtetin ashtu edhe qytetarët. Andaj, Ligji i ri për energjetikë do të ashpërsojë kushtet se kush mund të jetë importues dhe shpërndarës i karburanteve në Maqedoni dhe do ti barazojë ato me standardet e Bashkimit Evropian”, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev.
Duke komentuar Ligjin e ri për energjetikë, një pjesë e kompanive kanë hapur edhe çështjen e fshehjes së tatimit dhe mospagesës së akcizës gjatë importit të karburanteve të një pjese të importuesve. Kjo ka qenë edhe arsyeja që Prokuroria Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka hapur procedurë para-hetimore lidhur me zërat për keqpërdorimin dhe fshehjen e tatimit gjatë importit të karburanteve të naftës. Nga kjo Prokurori konfirmojnë se ekziston dyshimi se është importuar mall i deklaruar si naftë për amvisëri, ndërsa në të vërtetë është importuar karburant i naftës, me çka i është shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Maqedonisë.
Në ndërkohë kompanitë nga biznesi i naftës kërkojnë që të ketë një licencë të veçantë për magazinimin dhe distribuimin e naftës, me çka do të thjeshtësohen edhe kontrollet e inspeksioneve. Pikërisht ndër risitë që parashikohen me Ligjin e ri për energjetikë, është edhe rritja e kapaciteteve për magazinim e nevojshme për tregtinë me shumicë me naftë nga 50 deri 100 metra kub.
VAJI EKSTRA I LEHTË, NDOTËSI I MADH I AJRIT
Sipas ambientalistëve vaji ekstra i lehtë në shumë shtete as që përdoret për ngrohje dhe si karburant i veturave për shkak të ndotjes së ambientit. Ata theksojnë se përderisa dizeli përmban 10 ppm grimca të squfurit, vaji ekstra i lehtë përmban 1000 ppm grimca, andaj edhe është ndotës shumë i madh i ambientit. (koha.mk)