Shkup, 31 korrik – Rezultatet financiare nga puna e servisit radiodifuziv publik dhe të televizioneve dhe radiove komerciale për vitin e kaluar tregojnë se mediet në RMV vitin e kaluar kanë realizuar humbje prej 96,91 milionë denarë, bëhet e ditur në Analizën e tregut të shërbimeve mediatike audio dhe audivizuele për vitin 2018.
Në Analizën, e përgatitur nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele (ASHMAA), theksohet se në fund të vitit 2018, Radio Televizioni i Maqedonisë (RTVM) për herë të parë pas pesë viteve ka shënuar humbje në punë. Kështu, të ardhurat në RTVM vitin e kaluar janë ulur për 8,44 për qind, të televizioneve komerciale për 4,52 për qind, ndërsa e radiostacioneve komerciale për 3,60 për qind.
Të ardhurat nga reklamat që bashkë i kanë realizuar të gjithë radiodifuzerët ishin 1.346,06 milionë denarë dhe në krahasim me vitin 2017, shënojnë rënie për 2,71 për qind. Prej tyre, 34,33 milionë denarë ishin të ardhurat e RTVM-së, 1.203,95 milionë denarë të televizioneve komerciale dhe 107,78 milionë denarë të radiostacioneve komerciale.
Shpenzimet të cilat bashkë i kanë bërë të gjithë radiodifuzerët në vitin 2018 ishin 2,537.52 milionë denarë, prej të cilave 971,03 milionë denarë ishin shpenzimet e RTVM-së, 1,419.56 milionë denarë të televizioneve komerciale dhe 146,93 milionë denarë të radiostacioneve komerciale.
Analiza përfshin të dhëna për punën ekonomike të servisit radiodifuziv publik dhe të televizioneve dhe radiove komerciale, si dhe nga matjet e shikueshmërisë dhe dëgjueshmërisë së televizioneve dhe radiostacioneve. Qëllimi i saj është që të sigurohen njohuri gjithëpërfshirëse për gjendjet në industrinë e televizionit dhe të radios për vitin paraprak.