Me këtë projekt të Unionit Evropian faktikisht krijohen kushte shumë të mira që edhe personat me aftësi të kufizuara të kenë mundësi së bashku me nxënësit e tjerë lirshëm të shfrytëzojnë kabinetet në këtë objekt shkollor
Vjollca SADIKU
Dibër, 30 korrik – Për herë të parë në një objekt shkollor në komunën e Dibrës realizohet projekt për krijimin e kushteve për nxënësit me aftësi të kufizuara të vijojnë procesin edukativo arsimor pa probleme. Me një projekt të Bashkimit Evropian në shkollën fillore në Dibër “Penestia”, momentalisht vendosen dy ashensorë ku zhvillojnë mësim nxënësit në klasat e larta dhe një ashensor në objektin të klasave të ulëta. Me këtë projekt të Unionit Evropian faktikisht krijohen kushte shumë të mira që edhe personat me aftësi të kufizuara të kenë mundësi së bashku me nxënësit e tjerë lirshëm të shfrytëzojnë kabinetet në këtë objekt shkollor.
Drejtori i shkollës fillore “Penestia”, Ajet Mullarexha ka deklaruar se projekti ka një domethënie të madhe për nxënësit dhe personat me aftësi të kufizuara. “Është një projekt shumë domethënës me çka mundësohet akses në dy objektet shkollore që posedon shkolla ‘Penestia’, edhe atë dy ashensor në objektin ku realizohet mësimi në klasat e larta dhe një në objektin e shkollës ku realizohet mësimi për klasat e ulëta”, tha Mullarexha. Sipas tij, është ky rasti i parë në një shkollë të komunës së Dibrës por edhe më gjerë që të vendosen ashensor për personat me aftësi të kufizuara mes të cilëve ka edhe nxënës. Gjatë vizitës që ia bëri kësaj shkolle kryetari i Dibrës Hekuran Duka nga së afërmi u informua për projektin të Unionit Evropian dhe potencoi se tani shkolla më e madhe e Dibrës faktikisht posedon kushte shumë të mira për të gjithë nxënësit. Projekti në fjalë është përshëndetur edhe nga shoqatat qytetare në Dibër të cilat merren me mbrojtjen e interesave të personave me aftësi të kufizuara. Shoqata “Porosia” thekson se vendosja e ashensorëve duhet të bëhet edhe në shkollat të tjera fillore por edhe në shkollën e mesme. Kryetari i kësaj shoqate Bekim Ame disa herë në takime ka theksuar problemet me të cilët ballafaqohen nxënësit me aftësi të kufizuara gjatë procesit edukativo arsimor në shkollat e Dibrës. Ai potencon se ky është një shembull i mirë se si shkollat duhet të i’u bëjnë kushte për nxënësit që nuk kanë mundësi të zhvillojnë mësimin në katet e larta
Aktualisht në këtë shkollë realizohen edhe aktivitet rreth rikonstruimit të disa klasave, kabinetit të muzikës etj. Ky aktivitet siç na informoi drejtoi i shkollës Ajet Mullarexha realizohet me donacion të dibranit nga SHBA,Valon Shemsiu. Dibrani ka dhënë një donacion me lartësi prej 55 mijë dollarëve dhe një kompani ndërtimore realizon rikonstruimin e disa klasave, kabineteve dhe nyjeve sanitare. Drejtoria e shkollës potencon se donacioni është i mirëseardhur dhe është shumë domethënës.
(koha.mk)