Kryesia Qendrore e Aleancës për Shqiptarët në mbledhjen e mbajtur më 05.10.2018, pas diskutimeve dhe analizave të shumta për gjendjen politike të krijuar pas referendumit solli këto:
Konkluza:
1. Rezultati i referendumit të 30 Shtatorit, ku shumica absolute e qytetarëve që ju përgjigjën referendumit dhe votuan PËR është tregues i pakontestueshëm se ajo shumicë është e përcaktuar për NATO dhe BE. Mos arritja e cenzusit të nevojshëm në Referendumin e 30 Shtatorit paraqet një situatë tjetër politike, në aspektin formal dhe Juridik. Me fjalë tjera më 30 shtator s’kishte verdikt por kishte porosi nga qytetarët që ja drejtuan klasës politike, dhe porosia është që përfundimisht vendimarrja t’i delegohet Kuvendit të RM, respektivisht deputetëve që ti bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme demokratike për sigurimin e 2/3 në Kuvend për ndryshimet e nevojshme Kushtetuese.
2. Aleanca për Shqiptarët vlerëson që edhe nëse arrihet konsensusi i nevojshëm i gjithë spektrit politik pas ndryshimeve kushtetuese vendi menjëherë duhet të shkojë në Zgjedhje të Parakohshme Parlamentare.
3. Procesit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duhet t’i paraprijë modeli i Qeverisjes sipas Marrëveshjes së Përzhinos, edhe atë së bashku me pastrimin e listave zgjedhore nga votuesit fiktiv, përfundimin e debatit për ndryshimin e kodit zgjedhore, si dhe implementimin e modelit zgjedhor proporcional me lista të hapura.
Meqë në mungesë kohe këtë fazë , debati për numrin e njësive zgjedhore duhet të përfundohet në një moment tjetër dhe urgjentisht të rregullohet problemi me njësinë zgjedhore nr. 6-të, e cila ka mbi 10 % më shumë votues se njësitë tjera zgjedhore dhe që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin për Zgjedhje , në funksion të kësaj Aleanca për Shqiptarët propozon që Dibra dhe Kërçova komplet si territore të kalojnë në Njësinë zgjedhore nr 5.