ASH: Zgjedhja e Jakupit për gjykatës rrënon drejtësinë

8

Tetovë, 31 tetor – Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar zgjedhjen e gjykatësve në Këshillin republikan. Sipas partisë opozitare shqiptare, Maqedonia nuk është në rrugë të mbarë të reformojë sistemin e drejtësisë. Nga kjo parti sqaruan se gjykatësit e zgjedhur janë të deleguar nga zyrat e LSDM-së dhe BDI-së.

“Subhi Jakupi, i cili u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Lartë Administrative, kuadër i BDI-së, ish-anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili u detyrua të japë dorëheqje së bashku me kolegët tjerë të KQZ për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, që në mënyre jo transparente, krahas pagës së rregullt kishin ndarë edhe disa paga plotësuese për vete dhe të holla të majme për udhëtim, në kundërshtim me të gjitha normat e kriteret ekzistuese për këto qëllime. Ky person i cili dha dorëheqje nga posti që mbante, pas alarmit të ambasadorit amerikan Xhes Bejli, i cili KQZ-në e vlerësoi si institucion të korruptuar, dje u zgjodh gjykatës në Gjykatën e lartë Administrative. Shtrohet pyetja, çfarë kredibiliteti moral dhe integriteti personal do të ketë Subhi Jakupi për ta ushtruar detyrën e gjykatësit”, tha Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.

Më tej, nga partia e Ziadin Selës thonë se çfarë drejtësie të pavarur mund të ndajë një njeri që ka qenë ish-anëtar në KSHZ i deleguar nga BDI dhe zyrtar i lartë partiak.

“Çfarë drejtësie do t’u ndajë qytetarëve gjykatësit partiak i llojit të Jakupit, ish anëtar i KQZ, i deleguar nga BDI, ose nga Xhelal Bajrami, aktualisht prokuror i lartë republikan, ish-zëvendësministër i BDI-së në Ministrinë e Punëve të Brendshme, apo ndonjë tjetër, që në poste me aq rëndësi, ku do të ndahet drejtësia, vjen përmes nepotizmit. Çfarë sistemi juridik dhe shtet të së drejtës mund të ketë në Maqedoni, kur gjykatës dhe prokurorë delegohen nga po ato parti politike, zyrtarët politik të të cilëve janë pjesë e hetimeve dhe procedurave për krim dhe korrupsion”, deklaroi  Bexheti.

Ai ka pyetur kryeministrin nëse me këto zgjedhje të gjykatësve mund të reformojë sistemin e drejtësisë në vend. “A është i vetëdijshëm kryeministri Zoran Zaev se nuk ka reforma me zgjedhjen e gjykatësve partiak dhe kryetarëve politik të gjykatave në Maqedoni që dikur zgjidheshin nga zyrat partiake të VMRO-BDI, sot që zgjidhen sërish nga zyrat e BDI-LSDM. Kjo mënyrë e emërimeve partiake në poste me aq rëndësi në sistemin gjyqësor nuk e reformojnë sistemin e drejtësisë, përkundrazi – këto zgjedhje joprofesionale dhe partiake i minojnë dhe seriozisht i pengojnë proceset eurointegruese, pikërisht në këto momente, kur reformat në gjyqësi dhe gjyqësia e pavarur nga partitë dhe qeveria, janë parakusht që Maqedonia të inkuadrohet në BE dhe NATO”, deklaroi Flakron Bexheti i ASH-së.

Comments are closed.