Tetovë, 21 qershor – Prokuroria Speciale dhe kryeministri Zoran Zaev të mos bëhen të shurdhër ndaj përgjimeve të reja ku të implikuar dalin zyrtarët më të lartë të BDI-së. Kjo është kërkesa e Aleancës për Shqiptarët, e cila nëpërmjet zëdhënësit të partisë, Flakron Bexheti, thotë se pavarësisht mënyrës dhe formës se si dalin në opinion dhe prej ku merren përgjimet, kanë përmbajtje shqetësuese, pikërisht se protagonist janë udhëheqës politikë të një partie që gjatë kohë është pjesë e Qeverisë
“Po bëhen pothuajse 2-3 javë që shqiptarët dhe gjithë qytetarët e vendit me vëmendje po i dëgjojnë përgjimet nga të ashtuquajturat ‘bomba’, përmes të cilave njihen edhe më mirë me formën, mënyrën dhe qasjen në politikëbërjen e BDI-së dhe liderit të tyre. Nga këto përgjime kuptohet qartë se zyrtarët e lartë të kësaj partie kanë keqpërdorur pozitat e tyre partiake dhe shtetërore duke ndikuar edhe në përzgjedhjen e gjykatësve, kryetarëve të gjykatave, prokurorëve noterëve etj. Nga përgjimet më të reja dëgjohet edhe biseda skandaloze, mes liderit të Partise, Ali Ahmetit dhe Sadulla Durakut, ku nga Bujar Osmani, tani zëvendëskryeministër për Evropiane kërkohet fshehje e veprës penale për vrasje dhe mbrojtje të dorasit të kësaj vepre të rëndë. Përmes përgjimeve, kuptohet qartë se ata kanë ushtruar presion edhe ndaj udhëheqësve që të dorëhiqen nga pozitat e tyre, siç është rasti i rektorit të USHT-së dhe shumë raste tjera, që tashmë dihen botërisht. Madje këta zyrtarë të lartë në bazë të përgjimeve kanë ushtruar presion politik edhe ndaj mediave të caktuara, ndikuar tek pavarësinë e tyre…”, është shprehur Bexheti. Ne si Aleancë, tha më tej ai, u bëjmë thirrje institucioneve të Drejtësisë, siç është edhe Prokuroria Publike Speciale, që sa më parë t’i marrë në shqyrtim këtë përgjime, të verifikojë autenticitetin e tyre, dhe sa më parë të hap procedura hetimore për zyrtarët e BDI-së, të cilët e kanë shkelur ligjin.
“Është e pakuptueshme dhe jonormale që heshtja e pushtetit, më saktë e LSDM-së dhe e Kryeministrit Zaev, i cili, ashtu siç dikur i kurseu zyrtarët e BDI-së, këtë qëndrim po e përsërit duke treguar indiferencë ndaj përgjimeve të reja, në vend që të krijojë klimë dhe kushte për ndjekje penale për të gjithë ata zyrtarë që e kanë thyer ligjin, dhe Kushtetutën e vendit”.