Tetovë, 9 korrik – Aleanca për Shqiptarët ka propozuar masa të reja në sistemin e shëndetësisë për të parandaluar ikjen e mjekëve nga rajoni i Tetovës. Nga partia e Selës theksuan se departamenti i Shëndetësisë në Aleancën për Shqiptarët ndjek me vëmendje këtë problematikë dhe pas shumë analizave dhe përpunim të informatave, në këtë faze akute propozon Paketën 10, e cila duhet të inkorporohet në ligjin e ri të shumëpritur për mbrojtje të shëndetit që është në fazën përgatitore.
“Në afat më të shkurtër të hartohet harta elektronike e institucioneve shëndetësore publike ku në mënyrë transparente do të prezantohen vendet e lira të punës. Të gjithë mjekët e ri të punësohen menjëherë, ku kriteret kryesore të jenë suksesi gjatë studimeve dhe nevojat e sistemit shëndetësor në Maqedoni. Të gjithë mjekët e ri të dalluar të angazhohen në Qendrën klinike universitare në Shkup dhe Spitalet klinike në Tetovë dhe Shtip. Në procedurë të shpejtuar të barazohen koeficientet e rrogave në krahasim me atë të gjyqtarëve. Rroga minimale e mjekëve të jetë 50.000 denarë, ndërsa kujdestaritë e mjekëve të paguhen jo më pak se 3000 denarë. Të gjithë mjekëve që shprehin interes për specializim, shteti t’ju garantoj që pas 5 vjetëve përvojë pune të munden ta regjistrojnë dhe ta nisin të njëjtën dhe të gjitha harxhimet e specializimit të mbulohen nga Ministria e shëndetësisë si dhe urgjentisht të ndërpriten specializimet private për nënshtetasit e Maqedonisë”, tha Bekim Tateshi nga departamenti i Shëndetësisë në ASH.
Më tej, nga kjo parti porpozuan që të përmisohen kushtet e punës, siguria juridike dhe fizike duke e sjellur Ligjin për të drejtat e mjekëve.
“Oda e mjekëve, me të gjitha kapacitet që ka, të angazhohet për zgjidhje të problemit e jo të luaj rolin e vëzhguesit pasiv. Ky institucion të sigurojë kredi të volitshme për mjekët e ri që të sigurojnë nevojat bazë për një jetë normale. Fakultetet e mjekësisë të organizojnë “Ditën e karrierës” ku studentët e mjekësisë që janë në vitet e fundit të studimeve të njoftohen me mundësitë e punësimit dhe përparimit në karrierë. Qeveria të organizojë takim urgjent me Agjencionet ndërmjetëse (brain-hunters) dhe të ndikojë në mënyrën e prezantimit të kushteve të punës të mjekëve të ri që aplikojnë për të emigruar jashtë shtetit”, tha Tateshi. (koha.mk)