Shkup, 6 shkurt – Aleanca për Shqiptarët përshëndet nënshkrimin e protokollit të 29 vendeve anëtare të NATO-s për anëtarësim të Maqedonisë, njofton Koha.
“Kjo ngjarje paraqet një derë të hapur për Maqedoninë në Aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake të botës. Nga sot përgjegjësia është e dyfishtë, për Maqedoninë , Qeverinë dhe të gjithë aktorët politik në vend sepse të qenurit anëtar i NATO-s me automatizëm do të thotë më shumë përgjegjësi të klasës politike, respektim i të drejtave të njeriut, si ato individuale ashtu edhe ato kolektive, sundim të shtetit ligjor, mirëqenie ekonomike për qytetarët e këtij vendi, luftë të pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, etj.”, thuhet në kumtesën e ASh-së.
Maqedonia, shkruan mëtej në kutesën e ASH-së, tani e tutje në asnjë moment nuk duhet të gabojë në raport me funksionimin e së drejtës. Gjykatat e Maqedonisë, doemos t’ju ngjajnë për nga profesionalizmi gjykatave të shteteve të NATO-s, pa mos përjashtuar edhe administratën publike, shëndetësinë, kulturën dhe arsimin, të gjitha këta segmente politike dhe shoqërore që duhet të jenë përkrah vlerave euroatlantike.
“Falënderojmë të gjithë kontribuuesit e këtij procesi kaq të rëndësishëm, në veçanti NATO-n, shtetet e BE si dhe SHBA-të!”, theksojnë nga ASH. (koha.mk)