Së fundmi, shumica në Këshillin e komunës së Gostivarit e drejtuar nga BDI-ja, është lëkundur për shkak të prishjes së koalicionit në nivel qendror me RDK-në e Vesel Memedit me kryeministrin Zoran Zaev dhe BDI-në
Urim HASIPI
Gostivar, 14 korrik – Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, është shprehur optimist se shumë shpejt – Aleanca për Shqiptarët mund të krijojë shumicë në Këshillin e Komunës së Gostivarit. Ai ka thënë se është në bisedime me disa këshilltarë, ndërkohë që ka thënë se disa prej tyre janë në presion të madh që të mos e braktisin partinë që përfaqësojnë, shkruan gazeta KOHA.
“Vazhdimisht, jo me RDK-në, po kemi biseda me shumë këshilltarë që kanë pasur dëshirë të bëjnë shumicë, por e dini se ka pasur presione të hatashme prej pushtetit qendror. Kjo është konfirmuar edhe nga këshilltarët për presionet që i kanë bërë pushteti qendror. Tashmë unë shoh se afrohet mundësia për t’i bërë 16 apo 17 këshilltarë, do ta shohim, ka interes dhe prej këshilltarëve të BDI-së të cilët megjithatë janë në presion… mendoj dhe shpresoj që do mundohemi ta bëjmë shumicën e duhur dhe të funksionojmë ashtu siç duhet”, tha Taravari.
Ai është shprehur se nuk i pengon të krijohet një shumicë tjetër e re në Këshillin e Komunën së Gostivarit, por mjafton të mos e bllokojnë punët e Komunës. “Mua aspak nuk më pengon që shumica të jetë e palës së kundërt, por do të duhej të ishte konstruktive. Këtu kemi një shumicë të Këshillit e cila bllokon, si për shembull, Buxhetin e tre muajve, nuk e votojnë Programin për punësime, disa projekte të cilat ishin si ndihmë financiare nga shoqatat ndërkombëtare që dëshironin ta ndihmojnë Gostivarin. Këto ishin pengesat, përndryshe do ishte mirë që kryetari i Këshillit të jetë i partisë së kundërt, ama kur do të bisedojmë për çështje konstruktive, çeshtje për të mirën e qytetit, të mos pengojnë, sepse aktualisht jemi komuna e vetme urbane opozitare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, sqaroi kreu i Komunës së Gostivarit.
Tashmë, shumica në Këshillin e komunës së Gostivarit e drejtuar nga BDI-ja, është lëkundur për shkak të prishjes së koalicionit në nivel qendror me RDK-në e Vesel Memedit me kryeministrin Zoran Zaev dhe BDI-në. (koha.mk)