Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në seancën e sotme parlamentare ka bërë disa skandale të njëpasnjëshme. Fillimisht nuk i ka futur në rend dite dy propozim ligjet e Aleancës për Shqiptarët, atë për arsim fillor dhe të mesëm dhe ligjin për lojërat e fatit. Nga ana tjetër në mënyrë të menjëhershme ka përfshirë propozime të shumicës të cilat janë dorëzuar shumë më vonë se propozimet e ASH-së.
Për këtë shkak koordinatorja, Ilire Dauti, kërkoi ndërhyrje procedurale gjatë diskutimit për rendin e ditës, por edhe pse rregullorja i jep këtë të drejtë koordinatores, Xhaferi nuk i dha fjalë, por tentoi që fjalë ti jep ministres për Punë dhe Politikë Sociale.
Ashtu siç mundëson Rregullorja, koordinatorja e ASH-së, doli në foltore dhe pas reagimit të deputetëve të opozitës, ministrja ndërpreu fjalën dhe Xhaferi u detyrua të dorëzohet.
Kjo nuk është hera e parë, por një nga rastet më skandaloze ku kryeparlamentari tenton të ngulfat zërin e opozitës shqiptare.