Shkup, 10 shtator – Aleanca për Shqiptarët (ASH) nuk pajtohet me idenë që të takim liderësh të organizohet vetëm se në mes të kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në të cilin nuk do të marrin pjesë edhe liderët e partive shqiptare.
Sipas zëdhënësit të ASH-së, Flakron Bexheti vetë formati i takimit nga i cili janë përjashtuar shqiptarët nuk jep hapësirë për të konstatuar se do të ketë epilog të rëndësishëm, ndërsa vlerëson se përparim i dukshëm dhe i rëndësishëm mund të arrihet në një takim tjetër me prezencë të faktorit ndërkombëtar ngjashëm me atë të Përzhinës.
“Në princip, si parti politike jemi për dialog politik dhe kompromis, konsensus dhe marrëveshje për çështje të caktuara politike me interes të përgjithshëm, por kategorikisht jemi kundër takimit të mbyllur të kryeministrit Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, duke përjashtuar partitë politike shqiptare dhe liderët e tyre. Deri më tani ka pasur dy grupe të cilët kanë punuar në hartimin e ligjit për Prokurorinë Publike e përbërë nga anëtarë të Qeverisë dhe VMRO-DPMNE-së pa qenë të përfshira edhe partitë shqiptare. Publikisht pyesim se kush i ka dhënë të drejtën kryeministri Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Mickoski që ti përjashtojnë partitë shqiptare dhe mos i ftojnë liderët shqiptarë në takim?”, ka thënë midis tjerash në takimin me gazetë Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së, transmeton KOHA.
Ai madje ka theksuar se as Zaev, as Mickoski nuk mund të vendosin për të ardhmen e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) pa partitë shqiptare, pasi që sipas tij, po e njëjta prokurori është formuar me konsensus të gjerë politik dhe etnik, dhe është mbështetur nga faktori ndërkombëtar. (koha.mk)