Shkup, 10 gusht – Kaluan disa ditë nga publikimi i lajmit për plagosjen e dy personave në një dasmë në Tetovë, e bashkë me lajmin zbulohet edhe identiteti i autorit i cili është funksionar i lartë partiak i BDI-së dhe deputet aktual në Kuvend. Kështu thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, sipas të cilës, akoma asnjë vendim konkret nuk u ndërmor nga institucionet kompetente.
“Sipas informacioneve tona njëri nga të plagosurit është në gjendje të rëndë shëndetësore, mjekët nuk po ja heqin plumbin nga gjoksi, për shkak të rrezikimit të jetës së tij. Pyesim publikisht prokurorinë dhe MPB, çfarë ndodhi me autorin e këtij akti, që rrezikoj jetën e qytetarëve, duke përfshirë edhe djalin e tij? Policia, deri ku është me procedimin e rastit dhe prokuroria a po kryen detyrën e saj? Mos informimi i opinionit për këtë rast na bënë të dyshojmë se ky rast nuk po trajtohet nga organet kompetente për shkak të ndikimit politik. Ku ka përfunduar sistemi i drejtësisë, prokurorisë e policisë i cili përveç politizimit të skajshëm gjithnjë e më shumë po vërtetohet se është thellësisht i kriminalizuar”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga organet kompetente që sa më shpejt ta ndriçojë rastin, e mos të mbron funksionar partiak që janë thellë të zhytur ne krim e korrupsion.
“Qytetarët, zhgënjimin duhet ta kthejnë në veprim, dhe së bashku të çlirohemi nga kjo klikë e degjeneruar që po na mban peng tani më një dekadë dhe të fillojmë të frymojmë lirshëm si çdo shoqëri evropiane”, thuhet në fund të reagimit të Aleancës për Shqiptarët.