Shkup, 6 shtator – Dënojmë ashpër sulmin fizik ndaj mjekut A.E nga Tetova i cili sot është sulmuar fizikisht, në vendin e tij të punës, duke marrë lëndime të rënda trupore.
Kështu thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa theksojnë se nuk është hera e parë që mjekët dhe stafi mjekësor i Spitalit Klinik të Tetovës, por edhe të spitaleve tjera janë viktima të sulmeve fizike.
“Kjo ndodh për shkak të neglizhencës së institucioneve përkatëse, duke filluar nga vetë Qendra Klinike e Tetovës e cila nuk siguron sigurim adekuat, gjë që do të parandalonte një akt të tillë mizor dhe të shëmtuar, e deri tek institucionet tjera kompetente, policia dhe prokuroria që nuk marrin masat e nevojshme. Këto raste ndodhin edhe nga pakujdesia e Ministrisë së Shëndetësisë e cila nuk po harton një kornizë ligjore për ti mbrojtur mjekët dhe të punësuarit e institucioneve shëndetësore”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Aleanca për Shqiptarët do të iniciojë procedurën për ndryshim të ligjit për veprimtari mjekësorë me të cilin do të parashihet mbrojtje ligjore e mjekut në vendin e punës ngjashëm siç është për punonjësit e MPB-së që sulmi ndaj mjekut në vendin e punës të konsiderohet vepër penale me të cilën do të parashihet burg nga 6 muaj deri në 3 vite. “Si subjekt politik, pa ndërprerë kemi ripërsëritur qëndrimet tona për rritjen e kualitetit dhe kushteve në shëndetësi, për të mirën e shëndetit të pacientëve në radhë parë, megjithatë, e ndjejmë obligim që të ngremë zërin ndaj arsyes për të mbrojtur edhe dinjitetin e mjekëve dhe stafit mjekësor, që shpesh është cak dhe viktimë e sjelljes së papërgjegjshme jonjerëzore të personave të caktuar që zgjedhin dhunën për të shprehur revoltën e tyre.
Kërkojmë nga organet kompetente që për këtë vepër penale të zbardhin rastin dhe ti ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme sipas ligjit. Gjithashtu kërkojmë edhe nga Qendra Klinike në Tetovë, në mënyrë urgjente të sigurojë kompani adekuate të sigurimit, e cila do të siguronte në radhë të parë sigurinë e mjekëve, të cilët shpeshherë janë viktima të sulmeve të ndryshme gjatë orarit të tyre të punës, por edhe gjatë kujdestarisë gjatë natës”, thuhet në fund të reagimit të ASH-së. (koha.mk)