Tetovë, 9 gusht – Kryetari i Komisionit për shëndetësi të Aleancës për Shqiptarët, Bekim Tateshi kërkoi përgjegjësi nga Qeveria për, siç tha, politikat e pasuksesshme në shëndetësi dhe mos pastrimin e rastit me plagosjen e dy të rinjve në dasmë në Reçicë të Vogël të Tetovës.
“Në spitalin ‘Zhan Mitrev’ dhe Kardiokirurgjinë shtetërore për fëmijë ne si komision shëndetësor në muajin dhjetor të vitit të kaluar kemi thënë se bëhet fjalë për një projekt që nuk është mirë i përgatitur dhe është jotransparent dhe prandaj atëherë kemi thënë se do të vijë deri në mossukses”, deklaroi Tateshi në konferencën e sotme për shtyp në zyrën partiake të Aleancës së Shqiptarëve në Tetovë.
Ai thotë se edhe Qeveria paraprake ka pasur mossukses me hemodializën kronike, sepse për çdo terapi, pacientët dhe shteti kanë paguar ilaç 20 deri në 30 denarë më shumë sesa në sistemin paraprak.
“Çështjet tona janë se kush e lejoi këtë që kolegu ynë Çadikovski të emigrojë nga spitali shtetëror në spital privat, duke e ditur se në klinikën për kirurgji të fëmijëve janë investuar shuma milionëshe për aparaturë dhe për edukimin e ekipit. A do të thotë kjo se spitali ‘Zhan Mitrev’ nuk do të vazhdojë me operacione, pasi që ekipi i kolegut Çadikovski janë mjekët e vetëm të licencuar për operacione të tilla. E pyesim ministrin nëse do të hiqen projektet tjera në përbërje të partneritetit publik privat, siç është centralizimi i laboratorëve biokimikë, sterilizimi i sallave kirurgjike dhe ndihma e parë”, theksoi Tateshi,
Tateshi shtroi pyetje deri tek Ministria pse nuk ka realizim në projektet e paralajmëruara si një kazan i ri në gjinekologji në klinikat në Shkup, rritje të pagave për punonjësit shëndetësorë, pengim të emigrantëve në kuadër, mjekim tërësisht falas për të gjithë të siguruarit, heqje të pjesëmarrjes dhe specializim falas për dhjetë studentët më të mirë.
Ai i bëri thirrje ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe në duel me ekspertët nga komisioni për shëndetësi pranë Aleancës për Shqiptarët për të biseduar për problematikat e lartë përmendura.
Aleanca për Shqiptarët kërkon edhe përgjegjësi për rastin me plagosjen e dy të rinjve në një dasmë në Tetovë.
Kemi marrë informacione se gjatë intervenimit të parë tek pacienti i ri nuk është nxjerrë plumbi edhe pas analizave të bëra. Pyesim nëse plumbi ka mbetur për shkak të indikacionit mjekësor ose që të mbulohen disa fakte”, ka thënë Bekim Tateshi.
Për këtë rast, nga partia paralajmëruan se do të kërkojnë inspektim në dokumentimin e klinikës për kirurgji torakovaskulare, klinikën për traumatologji, mjekësi ligjore, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.