Tetovë, 16 nëntor – Sipas shkallës së vdekshmërisë së foshnjave, Maqedonia është në vendin e dytë në Evropë, menjëherë pas Moldavisë, sepse Ministria e Shëndetësisë tregoi masa jo mjaftueshëm konkrete edhe krahas orvatjeve për uljen e shifrave, theksoi Bekim Tateshi nga komisioni për shëndetësi pranë Aleancës për Shqiptarët në konferencën e sotme për shtyp në Tetovë, të cilën e organizoi në vigjilje të 17 Nëntorit – Ditës botërore të fëmijëve të lindur parakohe.
Tateshi theksoi se sipas vlerësimit të UNICEF-it, vdekshmëria e lartë e foshnjave është pasqyrë jo vetëm e efikasitetit të sistemit shëndetësor por edhe zhvillimit, varfërisë dhe mirëqenies sociale, shkallëve të sëmundjeve dhe cilësisë së mjedisit jetësor në vend.
“Maqedonia është e sistemuar në grupin e vendeve me të ardhura mesatarisht të larta, me shkallë të vdekshmërisë tek foshnjat prej 8,3. Kjo është shifra mesatare e mijërave foshnjave, të cilët kanë vdekur në 28 ditët e para të jetës. Kjo statistikë e zezë e ka vendosur Maqedoninë në maje të rajonit për nga shkalla e vdekshmërisë së foshnjave, ndërsa e dyta në Evropë, menjëherë pas Moldavisë. Sipas shkallës së së vdekshmërisë, Maqedonia është në shoqëri me Grenadën, Mauritiusin, Kolumbinë dhe Fixhin. Nga vendet e rajonit shkallë të lartë të vdekshmërisë ka në Turqi- 6.5; Shqipëri – 6.2; pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina me 4.7, Serbia me 3.7, Kroacia me 2.9 dhe Mali i Zi me 2.7 promilë”, deklaroi Tateshi.
Nga Aleanca për Shqiptarët kërkuan bashkim të të gjitha faktorëve relevantë politik në shëndetësi, me qëllim që të evitohen rezultatet dështuese dhe udhëheqjen e padëshiruar në statistikat e zeza. Propozuan Strategji në tre pika për uljen e vdekshmërisë së foshnjave dhe lehonave që parashikon përmirësim të infrastrukturës dhe sigurim të pajisjes optimale për punë të pandërprerë të personelit mjekësor, ndërmarrje të masave urgjente për parandalim të emigracionit të brendshëm dhe të jashtëm të personelit mjekësor me përvojë dhe hapje e njësiteve neonatalogjike për kujdes intensiv dhe terapi në Tetovë, Strumicë dhe Manastir. mb/