Shkup, 7 janar – Aleanca për Shqiptarët (ASH), ka parashtruar katër kërkesa ndaj Qeverisë së Maqedonisë, për të përmirësuar gjendjen në të cilën ndodhet Kodra e Diellit, e cila nisi sezonin turistik pa asnjë investim dhe me shumë defekte.
Nga ASH-ja kërkojnë:
1) Qeveria me vendim të saj t’ia merr të drejtën e menaxhimit ndërmarrjes ELEM, dhe kjo ndërmarrje të mos ketë të drejtën e pronësisë dhe menaxhimit në Kodrën e Diellit.
2) Qeveria të formojë një këshill drejtues, me këtë përbërje: 3 anëtarë nga qeveria, 3 anëtarë nga komuna e Tetovës, dhe 3 anëtarë ekspert të fushës së turizmit. Nga bordi drejtues të zgjidhet drejtori për menaxhimin e Kodrës së Diellit.
3) Qeveria të ndajë buxhet të menjëhershëm për funksionimin e këshillit drejtues dhe punonjësve aktual të cilët janë me vendim pune të rregullt.
4) Në marrjen e pasurisë dhe veprimtarive të Kodrës së Diellit t’iu jepet përparësi firmave dhe investitorëve nga Tetova dhe malësia e saj.
Siç sqaroi kryetari i degës së ASH-së në Tetovë, Altrim Mamuti, përpilimi i kërkesave ka ardhur pas konsultimeve që anëtarët e kësaj dege i kanë realizuar me profesorë universitar dhe ekspertë të ekonomisë.
“Me këto vendime dhe mekanizma veprimi, do të thyhet staus quo-ja aktuale, gjërat do të vihen në funksion, me çka do të mundësohej zhvillimi ekonomik i kësaj qendre. Në rast të mos interesimit dhe vazhdimit të kësaj gjendje me qendrën e Kodrës së Diellit, Ne, Aleanca për Shqiptarët, dega Tetovë, do të organizohemi me banorët e Malësisë së Sharrit dhe qytetarët e Tetovës për bllokimin e rrugës Tetovë – Kodër e Diellit kur do ta vizitojnë qeveritarët dhe deputetët e Republikës së Maqedonisë këtë qendër turistike”, ka deklaruar Mamuti. (Koha.mk)