Shkup, 16 tetor – Aleanca për Shqiptarët është shënuar fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, ndërsa Partia Demokratike Shqiptarë e kundërta – humbësja më e madhe e ditës së diel, shkruan gazeta KOHA. Partia e Ziadin Selës ka arritur që, krahasuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit të kaluar, të dielën të rritet për më shumë se 14 mijë vota tek elektorati shqiptarë. Më 11 dhjetor vitin e kaluar (atëkohë bashkë me RDK dhe UNITETIN), Aleanca për Shqiptarët kishte grumbulluar 35.121 vota, ndërkohë që në zgjedhjet lokale të së dielës, për këtë parti votuan 49.162 votues.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka arritur të fitojë vetëm 2822 vota më shumë se sa kishte në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2016. Atëkohë, partia e Ali Ahmetit kishte grumbulluar 86.796 vota, ndërkaq të dielën fitoi 89.618 vota, ose 2822 vota më shumë. Lëvizja BESA dhe PDSH e Menduh Thaçit në zgjedhjet e së dielës janë zvogëluar për më shumë se dhjetë mijë vota. BESA, e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kishte 57.868 vota, të dielën mori 46.534, ose 11.334 vota më pak. PDSH ndërkaq ka përgjysmuar numrin e votave. Në zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016, partia e Thaçit pati fituar 30.964 vota, ndërsa të dielën kjo parti u zvogëlua për 14.091, konkretisht fitoi vetëm 16.873. (koha.mk)