Zejnulla VESELI
Shkup, 7 korrik – Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët janë kundër planit të dy partnerëve më të mëdhenj të koalicionit – BDI dhe LSDM, për ta dërguar Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe në Komisionin e Venecisë. Reagimi vjen pasi kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani thanë se Qeveria, për Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe do të kërkojë mendimin e Komisionit të Venecisë. Partneri më i vogël i koalicionit qeveritarë, LR-PDSH, thotë se nëse LSDM pret Komisionin e Venecisë për të miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhës, atëherë që tani le të kërkojë partnerë tjetër. “Nëse deri në fund të muajit korrik gjuha shqipe nuk miratohet nga Parlamenti i Maqedonisë, atëherë që sot LSDM dhe BDI lë të fillon të gjejë partner të ri të koalicionit qeveritar”, thotë kryetari i LR-PDSH, Ziadin Sela, duke komentuar propozimin e ri të Qeverisë për të kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias për miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe. “Jo Venecia, po as partitë maqedonase LSDM dhe VMRO, si dhe BDI si partnere e koalicionit qeveritar, nuk mund ta pengojnë miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe. Nëse në 100 ditshin e parë kjo qeveri nuk e miraton Ligjin e ri për përdorim e gjuhës shqipe, atëherë është mirë që LSDM-ja dhe BDI-ja të kërkojnë partner të ri që të mund të funksionojnë edhe pas 100 ditëve si Qeveri. Qëndrimi i LR-PDSH-së mbetet i njëjti, se Ligji për gjuhën shqipe do të miratohet patjetër deri në fund të muajit korrik, sepse mbi parimin e Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, të cilën e pranoj LSDM-ja prioritet e ka që brenda 100 ditëve të parë të qeverisjes të miraton ligjin për gjuhën shqipe”, thotë Sela. Ndërkaq, nga Lëvizja BESA planifikimin e Qeverisë për të dërguar në Komisioni i Venecisë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, e quajnë lojë për të blerë kohë që gjuha shqipe të mos miratohet para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. “Nëse deri në fund të këtij muaji nuk miratohet Ligji për gjuhën shqipe, ne si Lëvizje BESA kemi të përgatitur ligj të ri dhe do ta propozojmë në njërën nga seancat parlamentare. Sikur që kemi pritur plotë 27 vite të miratohet Ligji për gjuhën nga qeveritë e mëparshme, edhe kjo qeveri që udhëhiqet nga partia maqedonase LSDM, po tenton të zvarrisë çështjet shqiptare. Që në fillim, gjatë bisedave me LSDM-në kemi pasur hezitime të jemi pjesë e Qeverisë për shkak se LSDM nuk ka pranuar që si pikë e parë që në afat të 100 ditëshit të parë të qeverisjes nga Deklarata e përbashkët e partive shqiptare të jetë miratimi i gjuhës shqipe. U bë e qartë se aspak nuk e kanë ndërmend të realizojnë asnjërën pikë nga Deklarata e përbashkët, prandaj edhe nuk pranuam të jemi pjesë e Qeverisë”, thotë Afrim Gashi, sekretar i Lëvizjes BESA. Ndërsa sa i përket çështjes se Lëvizja BESA a do të kërkojë votëbesimin e qeverisë nëse deri ën fund të muajit korrik nuk miratohet Ligji për gjuhën shqipe, Gashi thotë se ata nuk e kanë të drejtën për të kërkuar interpelancë të qeverisë, por se këtë mund ta bëjnë partitë shqiptare që janë në koalicion qeveritar. “Nuk është çështja se duhet të kërkohet votëbesimi i qeverisë apo jo. Ne si lëvizje BESA do të kërkojmë me çdo kusht që Ligji për gjuhën shqipe të miratohet deri në fund të muajit korrik, pavarësisht se si do te jetë mendimi i Komisionit të Venecias. Dërgesa e Qeverisë deri të Komisioni i Venecias për të kërkuar mendim nga ky komision është vetëm një lojë e LSDM-së që të shkon në zgjedhjet lokale pa e mbyllur çështjen e miratimit të gjuhës shqipe. Nëse kjo qeveri këmbëngul që të mos bënë deri në fund të muajit korrik, atëherë do të kërkojmë të bie kjo qeveri”, thotë Afrim Gashi, deputet i lëvizjes BESA. Ndërkaq, edhe deputeti i njërit krahë të RDK-së, Vesel Memedi, i cili është pjesë e koalicionit qeveritarë, thotë se ka kaluar koha kur partitë maqedonase kanë gjetur lloj-lloj mënyrash që të mos realizojnë atë që ua kanë premtuar partive shqiptare që kanë pranuar të jenë pjesë e qeverisë. “Kjo qeveri nuk mund ti ikë aspak miratimit të Ligjit për gjuhën shqipe. Ka ikur koha e grupacioneve të ndryshme edhe brenda kampit politik maqedonas, por edhe brenda kampit politik shqiptarë, që në mënyra të ndryshme të sabotojnë zyrtarizmin e gjuhës shqipe. RDK-ja i siguron shqiptarët e Maqedonisë se gjuha shqipe do të zyrtarizohet pavarësisht se kjo qeveri dëshiron të blejë kohë duke i dërguar zyrtarizmin e gjuhës shqipe Komision të Venecias. Gjuha shqipe ka të realizohet në 100 ditshin e parë të kësaj qeverie për shkak se Komisioni i Venecias si e para nuk merret me këtë çështje dhe e dyta, Komisioni i Venecias jep vetëm këshilla juridike dhe nuk imponon asnjë vendim”, thotë Memedi, duke shtuar se zyrtarizmi i gjuhës shqipe tani më është absorbuar dhe kanë mbetur vetëm çështje teknike deri më momentin kur do të jetë si rend dite në Parlament për miratim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.