Tetovë, 28 qershor – Aleanca për Shqiptarët – Dega në Tetovë ka drejtuar akuza ndaj Komunës së Tetovës për infrastrukturën rrugore, gropat në qytet, rrethinë dhe në Malësinë e Tetovës. Nga kjo parti dje para Komunës së Tetovës janë ekspozuar fotografi me gropa dhe me rrugë të dëmtuara. Sipas kryetarit të Degës së Tetovës të Aleancës për Shqiptarët, Altrim Mamuti, para komunës është hapur ekspozita me 240 fotografi dhe me më shumë se 3000 gropa dhe kjo është vetëm një përqindje e vogël nga gjendja reale në qytet.
“Gjendja e infrastrukturës së rrugëve në Tetovë është alarmante. Këto gropa janë në çdo lagje dhe në çdo vendbanim të Tetovës. Qytetarët paguajnë rregullisht mirëmbajtjen e rrugëve nëpërmjet sigurimit të automjeteve të tyre. Ndërkohë që paguajnë dhjetëfish më shumë për rregullimin e automjeteve që i amortizojnë gjatë vozitjeve nëpër rrugët e shkatërruara të Tetovës. Tendenca e shoferëve për ti evituar gropat shkakton aksidente të shumta në komunikacion. Sot nga këtu pyesim kryetaren e Komunës se për çfarë arsye nuk i mirëmban rrugët e Tetovës me rrethinë? Për të shkaktuar dëme materiale dhe ekonomike qytetarit? Për t’ua vështirësuar komunikacionin? Apo për qëllime tjera më të ulëta”, deklaroi Mamuti.
Nga Komuna e Tetovës janë përgjigjur se qytetarët e kanë dhënë verdiktin në zgjedhjet e fundit. “Ashtu sikurse të gjitha institucionet në Maqedoni duhet ta kryejnë punën e tyre, edhe gastronomia duhet ta kryej punën e vet. Megjithatë, zgjedhjet përfunduan, rezultati ishte ai që ishte dhe normalisht partitë politike janë të lira të bëjnë aktivitetet e tyre. U ndërtua koalicioni i turpit, bashkë me VMRO-në, dhe rezultati ishte ai që ishte. 5000 vota diferencë në favor të Teuta Arifit. Prandaj, çdo komentim më tej se ky verdikt, nuk ia vlen”, tha Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Dega e ASH-së në Tetovë ka bërë të ditur se ka fotografuar gjendjen e të gjitha rrugëve duke filluar nga Malësia, Reçica, Tetova, Drenoveci dhe rrugë tjera. (koha.mk)